<b></b> Instituti suedez: Rezervat e armëve bërthamore janë duke u rritur

Instituti suedez: Rezervat e armëve bërthamore janë duke u rritur

14.06.2022 09:05

Duke paraqitur një "prirje shqetësuese", arsenalet bërthamore pritet të rriten gjatë dekadës së ardhshme, parashikon Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI) në Vjetarin e tij për vitin 2022.

Megjithëse pati një rënie të lehtë të numrit të armëve bërthamore midis janarit 2021 dhe janarit 2022, numri ka të ngjarë të rritet në dekadën e ardhshme, sipas parashikimit të institutit të publikuar të hënën (13 qershor).

Të nëntë shtetet e armatosura me armë bërthamore – SHBA, Rusia, Britania e Madhe, Franca, Kina, India, Pakistani, Izraeli dhe Koreja e Veriut – vazhdojnë të modernizojnë arsenalet e tyre bërthamore.

“Të gjitha shtetet e armatosura bërthamore po rrisin ose përmirësojnë arsenalet e tyre dhe shumica po e theksojnë retorikën bërthamore dhe rolin që luajnë armët bërthamore në strategjitë e tyre ushtarake. Kjo është një prirje shumë shqetësuese", ka thënë Wilfred Wan, Drejtor i Programit të Armëve të Shkatërrimit në masë të institutit në një deklaratë për shtyp.

Sipas institutit, totali aktual i kokave të luftës vlerësohet në 12,705.

Rusia dhe SHBA posedojnë mbi 90% të armëve bërthamore në botë, dhe shtatë shtetet e tjera të armatosura bërthamore ose janë duke zhvilluar ose vendosur sisteme të reja armësh ose synojnë ta bëjnë këtë.

Kina, në veçanti, aktualisht po zgjeron arsenalin e saj dhe, sipas imazheve satelitore, ka ndërtuar më shumë se 300 objekte masive të reja për ruajtjen e armëve bërthamore.

Në Evropë, Britania e Madhe ka bërë të ditur vendimin e saj për të rritur tavanin e stokut total të kokave të saj të luftës vitin e kaluar. Në anën tjetër, Franca ka nisur një program për të zhvilluar një nëndetëse raketore balistike të gjeneratës së tretë me energji bërthamore (SSBN).

Si shenjë pozitive, instituti përmendi gjithashtu një deklaratë nga 3 janari, sipas së cilës anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vendeve të armatosura bërthamore riafirmuan angazhimin e tyre për të respektuar marrëveshjet e mospërhapjes, çarmatimit dhe kontrollit të armëve.

Megjithatë, "rreziku i përdorimit të armëve bërthamore duket më i lartë tani se në çdo kohë që nga kulmi i Luftës së Ftohtë", ka thënë drejtori Dan Smith në deklaratën për shtyp të SIPRI.

Tjera nga autori:
1