<b>Inteligjenca amerikane:</b>  Putini mund të përdorë armë bërthamore, nëse ndien se po e humb luftën

Inteligjenca amerikane: Putini mund të përdorë armë bërthamore, nëse ndien se po e humb luftën

11.05.2022 11:57

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të mund ta shihte humbjen në Ukrainë si kërcënim për ekzistencën e regjimit të tij, duke vendosur potencialisht që të përdorë një armë bërthamore, paralajmëroi shefja e inteligjencës kombëtare të ShBA-së.

Paralajmërimi të martën erdhi në një vlerësim nga shefat e inteligjencës për Senatin rreth kërcënimeve botërore. Parashikimi për Ukrainën është një luftë e gjatë, që mund të çojë në veprime gjithnjë më të paqëndrueshme të eskalimit nga Putini, përfshirë mobilizimin e plotë, fuqizimin e ligjit të luftës dhe – nëse udhëheqësit rus i duket se lufta po shkon kundër tij, duke ia rrezikuar pozitën në Moskë – edhe përdorimin e një arme bërthamore.

Parashikimi i zymtë erdhi në ditën e luftimeve të vazhdueshme në lindje dhe në jug të Ukrainës dhe të sulmeve ruse me raketa në portin e qytetit Odesa. Kombet e Bashkuara kanë thënë se numri i civilëve të vrarë do të jetë shumë më i lartë se shifra zyrtare prej 3.381 viktimash.

Drejtoresha e sigurisë kombëtare, Avril Haines, i tha komisionit për shërbime të armatosura në Senat se Putini do të vazhdojë që ta vringëllojë arsenalin bërthamor të Rusisë në përpjekje për ta frenuar përkrahjen e ShBA-së dhe të aleatëve të saj për Ukrainën. Ajo shtoi se ndryshmi i përqendrimit në lindje dhe në jug, me gjasë, janë taktikë e përkohshme e jo zvogëlim i përhershëm i qëllimeve të luftës.

Zyrtarja e lartë tha se presidenti rus nuk do të përdorë armë bërthamore derisa të shohë kërcënim për ekzistencë për Rusinë ose për regjimin e tij, por shtoi se ai do ta shihte humbjen në Ukrainë si kërcënim të tillë.

“Ka shumë gjëra që ai do t’i bënte në kontekstin e eskalimit para se t’i zgjedhë armët bërthamore dhe, me gjasë, do të angazhohej në njëfarë sinjalizimi përtej asaj që ka bërë deri më tani para se të vepronte ashtu”, shtoi Haines.

Ndërkohë shefi i Agjencisë për Inteligjencë të Mbrojtjes, Gjeneral Scott Berrier, tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se tetë deri në dhjetë gjeneralë rusë janë vrarë deri më tani në luftë.

Tjera nga autori:
1