<b></b> Kanadaja thotë se avionët luftarakë kinezë po provokojnë në ajër avionët e saj të vëzhgimit

Kanadaja thotë se avionët luftarakë kinezë po provokojnë në ajër avionët e saj të vëzhgimit

02.06.2022 22:19

Ushtria kanadeze ka nxjerrë pretendime se aeroplanët kanadezë të vëzhgimit që ndihmojnë në zbatimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Koresë së Veriut po provokohen vazhdimisht nga avionët kinezë që fluturojnë aq afër tyre sa ekuipazhet mund ta shohin njëri-tjetrin.

Forcat e Armatosura Kanadeze, thanë se ka disa raste që avionët luftarakë kinezë janë afruar aq shumë saqë avionëve kanadezë u është dashur të ndryshojnë rrugën për të shmangur përplasjen.

"Në këto ndërveprime, avionët PLAAF (Forcat Ajrore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore) nuk iu përmbaheshin normave ndërkombëtare të sigurisë ajrore. Këto ndërveprime janë joprofesionale dhe/ose vënë në rrezik sigurinë e personelit tonë të RCAF (Forca Ajrore Mbretërore Kanadeze)", tha Dan Le. Bouthillier, shefi i marrëdhënieve me mediat i Forcave të Armatosura Kanadeze.

Kanadaja pretendon se veprimet e supozuara kanë ndodhur në hapësirën ajrore ndërkombëtare gjatë përsëritjes më të fundit të Operacionit NEON, kontributi i Kanadasë në zbatimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut. Sipas CNN lidhur me rastet nuk janë dhënë data specifike, por është bërë e ditur se një gjë e tillë ka ndodhur shumë herë.

“Avionët kinezë ndonjëherë afroheshin aq shumë sa ekuipazhi i tyre ajror ishte "shumë i dukshëm" për personelin në aeroplanin kanadez,” tha Le Bouthillier.

Avioni kanadez i përfshirë ishte një aeroplan patrullimi me rreze të gjatë CP-140 Aurora që operonte jashtë bazës ajrore Kadena në Japoni. Le Bouthillier tha se avioni fluturoi nga baza e Okinawas nga 26 prilli deri më 26 maj.

Sipas tij, lidhur me këtë çështje Kanadaja ka nisur diskutime me Pekinin përmes kanaleve diplomatike.

“Fluturimet kanadeze nën Operacionin NEON vëzhdojnë për "aktivitete të dyshuara për shmangie të sanksioneve detare, në veçanti transferime nga anije në anije të karburantit dhe mallrave të tjera të ndaluara nga Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Le Bouthillier, duke shtuar se, "këto sanksione, të vendosura midis 2006 dhe 2017, synojnë të bëjnë presion ndaj Koresë së Veriut që të braktisë programet e saj të armëve të shkatërrimit në masë dhe t'i përgjigjet testeve të armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe lëshimeve të raketave balistike."

CNN shkruan se, incidentet e supozuara nuk do të ishin të parat midis dy vendeve, pasi në vitin 2019, dy avionë luftarakë kinezë goditën një anije luftarake kanadeze në Detin e Kinës Lindore në atë që mediat kineze e quajtën një "mirëseardhje të ngrohtë".

Por incidente të tilla mes avionëve kinezë dhe atyre të huaj ka pasur ndër vite. Më i keqi prej tyre ndodhi në vitin 2001, kur një avion luftarak kinez u përplas me një avion zbulues të marinës amerikane mbi Detin e Kinës Jugore.

Në atë rast, piloti i avionit luftarak kinez F-8 u vra dhe avioni amerikan u desh të bënte një ulje emergjente në ishullin Hainan të Kinës, ku 24 anëtarët e ekuipazhit amerikan u mbajtën në ishullin kinez për 11 ditë përpara se të liroheshin.

Tjera nga autori:
1