<b></b> Kërcënim nga media shtetërore ruse: Putini mund ta zhdukë ShBA-në me vetëm katër raketa

Kërcënim nga media shtetërore ruse: Putini mund ta zhdukë ShBA-në me vetëm katër raketa

31.05.2022 18:31

Një kërcënim i ri ndaj ShBA-së ka ardhur nga media shtetërore ruse, duke u mburrur se Putini mund ta zhdukë gjithë bregun lindor dhe perëndimor me vetëm katër raketa.

Një anëtar i parlamentit të Putinit, i quajtur Alexei Zhuralev lëshoi kërcënimin të hënën, duke thënë se pas përdorimit të armës së re bërthamore të Rusisë Sarmat 2, nuk do të mbetet asgjë në asnjërin nga brigjet.

Më pas, Zhuravlev kërcënoi me asgjësim edhe 2 milionë ukrainas, duke i përshkruar ata si nazistë 'të pashërueshëm' që nuk do të binden kurrë të mbështesin luftën e Rusisë.

Ky është vetëm kërcënimi i fundit në një listë të gjatë kërcënimesh që lëshohen vazhdimisht përmes mediave të varura nga Putini, ndërsa që të afërmit e tij mundohen të mbledhin mbështetje për pushtimin e Ukrainës.

Zhuravlev foli për armën e re bërthamore gjatë diskutimit me një deputet tjetër në kanalin kryesor rus Rossiya 1. Ata po diskutonin rreth një artikulli të CBS News, në të cilin ishte shkruar rreth asaj se çfarë do të duhej për të shkatërruar New Yorkun.

DailyMail shkruan se, Zhuralev është tallur me artikullin, duke thënë:

“Unë do t'ju them me kompetencë se për të shkatërruar të gjithë Bregun Lindor të ShBA-së, nevojiten dy raketa Sarmat dhe dy raketa të tjera për Bregun Perëndimor. Katër raketa dhe nuk do të mbetet asgjë.”

Sarmat 2 është raketa bërthamore e gjeneratës së fundit të Rusisë që mendohet të jetë e aftë të mbajë deri në 15 koka hipersonike, për të cilat Putini mburret se janë të afta të shmangin të gjitha mbrojtjet raketore që ekzistojnë aktualisht.

Megjithëse rendimenti i saktë i secilës kokë luftarake është i panjohur, burimet ushtarake ruse pohojnë se është "më shumë se dy megaton TNT" - ose më shumë se 130 herë fuqia e bombës "Little Boy" që është përdorur në Hiroshima.

Muajin e kaluar, vetë Putini u mburr me Sarmat 2, gjatë nje testi të bërë duke thënë se raketa mund të godasë çdo vend në tokë. Ndërsa, deri më tani media shtetërore ruse ka kërcënuar të godasë Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe ShBA-në për shkak të mbështetjes së tyre ndaj Ukrainës.

Një kërcënim i drejtpërdrejtë nuk ka ardhur ende nga Kremlini, megjithatë Putini ka paralajmëruar se vendet që duan të “ndërhyjnë” në Ukrainë do të përballen me “pasoja që nuk janë parë ndonjëherë në histori”.

Tjera nga autori:
1