<b></b> Komisioni Evropian: Asnjë përparim në demokraci dhe vlera të BE-së në Hungari

Komisioni Evropian: Asnjë përparim në demokraci dhe vlera të BE-së në Hungari

24.05.2022 10:47

Komisioni Evropian kishte pak fjalë pozitive për të ofruar rreth demokracisë dhe respektimit të vlerave të BE-së në Hungari pas një seance dëgjimore mbi procedurën e stërzgjatur të Nenit 7 të hënën (23 maj).

Neni 7 përshkruan procedurat për pezullimin e disa të drejtave nga një shtet anëtar në rast të shkeljes së vlerave të BE-së, të cilat vendet i pranojnë kur anëtarësohen në bllok.

"Fatkeqësisht, nuk mund t'ju raportoj për zhvillime më pozitive," u tha gazetarëve komisioneri i drejtësisë i BE-së, Didier Reynders, pas takimit të ministrave të bllokut në Bruksel.

Parlamenti Evropian nisi procedurën kundër qeverisë në Budapest për thyerjen e rregullave dhe vlerave të BE-së në vitin 2018. Megjithatë, procedura tejet politike, e cila potencialisht mund të bëjë që Hungaria të humbasë të drejtat e votës në BE, nuk ka shkuar askund me ministrat evropianë.

Kjo është vetëm seanca e tretë për procedurën hungareze. Seanca e parë u mbajt më 16 shtator 2019, pothuajse një vit pasi Parlamenti Evropian nisi procedurat e Nenit 7 kundër Hungarisë.

Duke folur me gazetarët para takimit, nënpresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova, tha se: "Fatkeqësisht, nuk kam lajme shumë të mira për të raportuar".

“Media vazhdon të jetë nën presionin politik, shumë institucione nuk i plotësojnë kriteret e pavarësisë nga partia në pushtet dhe çështja e Pegasus [mjeteve të përgjimit] duhet të diskutohet,” shtoi ajo.

Këshilli do të kërkojë një shumicë prej katër të pestat për të bërë rekomandime, të parat në një listë të gjatë hapash drejt aplikimit të sanksioneve. Sanksionet sipas nenit 7 të traktatit të BE-së mund të rezultojnë me pezullim të së drejtës së votës.

Megjithatë, Mikulas BEK, Ministër për Çështjet Evropiane të Çekisë, u përpoq të jepte një ton pozitiv pas debatit, i cili e përshkroi një pjesë të debatit si "relativisht afër dialogut".

“Në të kaluarën, më duket se debati i ngjante më shumë një grupi monologësh, por sot, të paktën një pjesë e debatit ishte pak më optimiste për mua,” tha ai.

Tjera nga autori:
1