<b></b> Komisioni Evropian miraton paketën e ndihmës prej 698 milionë eurosh të Italisë

Komisioni Evropian miraton paketën e ndihmës prej 698 milionë eurosh të Italisë

12.05.2022 10:26

Komisioni Evropian ka dhënë dritën jeshile për paketën e ndihmës prej 698 milionë eurosh të Italisë, të përfshirë në Planin Kombëtar të Rimëkëmbjes, i cili synon të zbusë ndikimin ekonomik të COVID-19 në kompanitë e sektorit të turizmit.

Sipas Institutit Kombëtar Italian të Statistikave, sektori i turizmit përbën 6% të BPV-së së vendit, ose rreth 93 miliardë euro. Por për shkak të pandemisë COVID-19, shumë agjenci udhëtimesh, operatorë turistikë dhe hotele u përballën me nevoja urgjente për likuiditet, duke rrezikuar infiltrimin nga krimi i organizuar.

“Kompanitë aktive në sektorin e turizmit kanë pasur rënie të ndjeshme të të ardhurave të tyre për shkak të shpërthimit të koronavirusit dhe masave kufizuese në fuqi. Kjo skemë italiane prej 698 milionë euro do t'i mundësojë Italisë t'i mbështesë këto kompani duke i ndihmuar ato të plotësojnë nevojat e tyre për likuiditet dhe duke siguruar vazhdimësinë e aktiviteteve të tyre", ka thënë Zëvendës-Presidentja Ekzekutive, Margrethe Vestager, shkruan Euractiv.

Ndihma do të jepet në formën e granteve direkte dhe kredive tatimore për kompanitë turistike dhe kredive për agjencitë e udhëtimit, dhe operatorët turistikë.

Megjithatë, mungesa e fuqisë punëtore mund të kërcënojë vazhdimësinë e aktiviteteve turistike këtë verë. Sipas vlerësimeve të ministrisë së turizmit, hotelet dhe restorantet kanë nevojë për nga 300,000 deri në 500,000 punonjës.

Ministri i Turizmit Massimo Garavaglia i partisë së krahut të djathtë Lega ka sugjeruar hapjen e dyerve për punëtorët e huaj, pavarësisht se partia e saj për vite me radhë ka bërë fushatë me sloganin "Italianët në radhë të parë".

Tjera nga autori:
1