<b>Koreja Veriore</b>  mund ta shpallë fitoren kundër Covid-it

Koreja Veriore mund ta shpallë fitoren kundër Covid-it

21.06.2022 10:33

Është bërë vetëm një muaj që nga koha kur Koreja Veriore pranoi se ka përhapje të koronavirusit, pasi për më shumë se dy vjet vazhdimisht kishte mohuar se ka ndonjë rast. Sidoqoftë, shteti i izoluar tashmë mund të jetë duke u përgatitur për ta shpallur fitoren kundër pandemisë.

Sipas medieve shtetërore, Koreja Veriore e ka shmangur vdekjen e pritur masive të njerëzve, ndonëse ky vend dallohet për njërin nga sistemet më të dobëta shëndetësore në botë, me pak ose aspak qasje në vaksina.

Ekspertët besojnë se shifrat zyrtare të koronavirusit në Korenë Veriore kanë të bëjnë shumë me propagandën për t’ia fuqizuar imazhin udhëheqësit të shtetit, Kim Jong Un dhe se ka dyshime të shumta për saktësinë e tyre.

Sidoqoftë, ajo që është e qartë është se përditësimet 24-orëshe bëjnë të duket që vendi do ta mposhtë tërësisht virusin nga i cili kanë vdekur mbi 6 milionë njerëz në botë.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i rasteve është duke rënë shpejt dhe, ndonëse 18 për qind e popullsisë 26-milionëshe raportohet se kanë pasur simptoma që dyshohet se kanë qenë nga Covid-i, ky shtet ka raportuar më pak se 100 të vdekur.

Qeveria e Koresë Jugore dhe disa ekspertë besojnë se Koreja Veriore mund ta shpallë së shpejti fitoren kundër Covid-it. Natyrisht, kjo “fitore” do të lidhet me udhëzimet e fuqishme e të zgjuara të Kimit.

Vëzhguesit e jashtëm besojnë se Kimi është duke e shfrytëzuar përhapjen e pandemisë për unitet të brendshëm në kohën kur shumë banorë janë lodhur nga kufizimet e rrepta që nga fillimi i pandemisë, që ua kanë dëmtuar jetesën.

Tjera nga autori:
1