<b></b> Korea e Jugut dhe SHBA lëshojnë raketa në paralajmërim ndaj Koresë së Veriut

Korea e Jugut dhe SHBA lëshojnë raketa në paralajmërim ndaj Koresë së Veriut

06.06.2022 10:43

Korea e Jugut dhe SHBA kanë lëshuar tetë raketa të hënën, në përgjigje të një breshërie raketash balistike të lëshuara nga Korea e Veriut një ditë më parë.

Kjo vjen ndërsa Pheniani vazhdon të përshkallëzojë testet e tij raketore.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, tha se qeveria e tij do të përgjigjet me ashpërsi ndaj çdo provokimi nga fqinji i saj verior.

"Ne do të sigurohemi që të mos ketë asnjë çarje në mbrojtjen e jetës dhe pronës së njerëzve tanë", tha ai.

Duke folur në një ngjarje përkujtimore të luftës në Seul, ai shtoi se programet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut "po arrijnë nivelin që kërcënojnë jo vetëm paqen në Gadishullin Korean, por edhe në Azinë Verilindore dhe në botë", raporton BBC.

SHBA dhe Korea e Jugut mbajnë rregullisht stërvitje të përbashkëta ushtarake, të cilat shpesh zemërojnë Korenë e Veriut.

Të hënën herët, disa orë pasi Korea e Veriut kishte lëshuar disa raketa në brigjet e saj lindore, të dy aleatët lëshuan tetë raketa nga sisteme raketore taktike tokë-tokë (ATACMS) - një nga SHBA dhe shtatë nga Korea e Jugut.

Analistët thonë se këto lëvizje janë që Korea e Jugut të tregojë muskujt e saj, me ndihmën e armatimit amerikan.

Është shfaqja e dytë hakmarrëse në disa javë nga SHBA-ja dhe Korea e Jugut. Javën e kaluar, Pheniani gjuajti një seri raketash menjëherë pas vizitës së presidentit amerikan, Joe Biden në rajon.

Shfaqje të tilla kishin qenë të rralla nën administratën e mëparshme të Koresë së Jugut.

Presidenti Yoon, i cili u inaugurua muajin e kaluar, është zotuar të marrë një qasje më të ashpër ndaj Koresë së Veriut.

Shteti i izoluar komunist ka testuar dhjetëra raketa në muajt e fundit, duke përfshirë një raketë balistike ndërkontinentale për herë të parë në pesë vjet.

OKB-ja e ndalon Korenë e Veriut nga testet e armëve balistike dhe bërthamore dhe ka vendosur sanksione të rrepta pas testeve që ka kryer në të kaluarën.

Tjera nga autori:
1