<b></b> Krahë e këmbë në kunja metali - Kostoja njerëzore e mbrojtjes së Ukrainës

Krahë e këmbë në kunja metali - Kostoja njerëzore e mbrojtjes së Ukrainës

18.06.2022 13:43

Lufta për Oleksandrin zgjati vetëm një javë. Elektricisti 36-vjeçar, që punonte në Gdansk, me ngut u paraqit për t’u bërë pjesë e ushtrisë pas fillimit të luftës dhe më 10 maj u dërgua për të bërë rojë në një hendek të thellë deri në gjoks në Donbas.

The Guardian

Oleksandri

“Sulmoheshim me predha vazhdimisht gjatë ditës. Nuk kalonin dhjetë minuta pa sulme ruse”, tha ai, duke e përshkruar koston e frikshme njerëzore. “Çdo ditë vritej nga një person e dy të tjerë plagoseshin. Humbje të mëdha, vërtet humbje të mëdha”, shtoi ukrainasi.

Në ditën e shtatë të angazhimit në llogore, më 16 maj, detyra e tij mori fund. Një dron rus kishte qëndruar pezull mbi pozicionin e Oleksandrit afër qytetit Avdivka. Pushtuesit hodhën një predhë, pastaj një tjetër, më afër, dhe në fund, edhe një, edhe më afër.

Iu duk si të ishte goditur nga një gur në krahun e djathtë, tha Oleksandri, por ishte më keq: “E shikova mëngën dhe u mundova që ta lëvizja dorën. Vetëm qëndronte e varur.” Shpejt e shpejt lidhi në krah një kapëse për ndaljen e gjakut dhe kërkoi strehim prapa vijës së frontit.

Tash, Oleksandri ndodhet në një zonë të ngarkuar me pacientë në një spital të qytetit Dnipro. Krahu i tij i djathtë mbahet nga katër kunja të lidhur mes vete me shufra, duke rrëfyer se si ushtarët e rëndomtë të vijës së frontit si ai janë ballafaquar me barrën e plotë të sulmeve ruse – me pak ose aspak shpresë për t’u kundërpërgjigjur.

Armët e rënda ukrainase mund të hapnin zjarr vetëm një herë në krahasim me dhjetë të shtëna të rusëve, thotë Oleksandri. Nuk kishe askënd për ta qëlluar, ankohet ai. Artileria ruse ishte jashtë rrezes së armëve ukrainase dhe, në pjesën e tij të frontit, pushtuesit nuk bënin përpjekje për të fituar territor.

Oleksandri kishte mbetur duke e mbajtur vijën, në përpjekje për të mbijetuar në gjendje të vazhdueshme tmerri. “Tërë kohën kisha helmetë në kokë dhe isha i sigurt se, kurdo që do më duhej ta hiqja, flokët do të më ishin thinjur”, thotë ai.

Morali i ushtarëve në spital mbetet i lartë, por rrëfimet e tyre personale gjithashtu e ilustrojnë natyrën dëshpëruese të luftës së mbrojtësve dhe atë se si Ukraina ka improvizuar një ushtri të zmadhuar për ta mbrojtur veten nga pushtimi i paprovokuar rus, duke përdorur çdo burim njerëzor që kishte në dorë.

Nikolai

Nikolai është një pacient tjetër në spital. Ndoshta befasia më e madhe rreth tij është mosha. Ish-punëtori i spitalit është 60 vjeç. Ai u paraqit si vullnetar në fillim të luftës, duke nisur me mbrojtjen e Kievit në fund të shkurtit dhe në mars. E pyes se pse ishte i gatshëm që ta rrezikonte jetën. I shtrirë në shtratin e spitalit, ai vetëm e mban dorën te zemra, e mban frymën dhe psherëtin.

“Ne thjesht nuk patëm kohë të mjaftueshme për t’u bërë ushtarë të vërtetë, nuk kishte kohë të mjaftueshme, sepse ata (rusët) lëvizën drejt nga Bjellorusia për në Kiev. U trajnuam aty për aty dhe, në thelb, po bënim përvojë në betejë të vërtetë”, shtoi Nikolai, që nuk kishte përvojë në luftë para shkurtit.

Pas Kievit, Nikolai u vendos në frontin jugor përreth qytetit Huliaipole, 50 kilometra në jugperëndim të Zaporizhia-s, ku forcat ukrainase kanë shënuar fitore të vogla e të lokalizuara. Megjithatë, kostoja ndaj personelit mbetet e lartë edhe në atë që do të duhej të ishte pjesë më e qetë e vijës së frontit.

“Nga një njësit prej 20 vetave, 15 u lënduan nga sulmet, një është kapur dhe një është vrarë”, tha ai. Në mesin e atyre të lënduar nga predhat është edhe vetë Nikolai, që ka pësuar dëmtim afatgjatë në pjesën e poshtme të krahut të djathtë.

“Ishim duke hapur një llogore për nja 40 minuta, pastaj u dëgjua një e shtënë e pasur nga një shpërthim. U mundova që ta mbroj veten me duar, por u godita në krahun e djathtë. E dita që u lëndova seriozisht, sepse nuk munda që ta pres mëngën për t’ia dhënë vetes ndihmën e parë”, tha burri 60-vjeçar. Nuk mbaroi me kaq. “Më vonë, përderisa isha duke pritur që të evakuohesha, një plumb më kaloi nëpër faqe”, shtoi ai.

Fillimisht, Nikolai mendoi se do të mbijetonte, por u nevojitën tri orë për ta dërguar te mjekët, prapa vijës së frontit. Humbja e gjakut ishte aq e madhe, saqë atij filloi t’i humbte vetëdija. “Fillova të mendoja se mund të vdisja”, tha ai, por ishte i sigurt se e ka bërë gjënë e duhur duke u paraqitur për të marrë pjesë në luftë.

Nevoja për sakrificë

Për udhëheqësit ukrainas, rrëfimet e tilla shërbejnë për ta vënë në pah nevojën e ngushtimit të dallimit me artilerinë e armikut dhe Ukraina po kërkon më shumë armë nga vendet perëndimore. Ndonëse ShBA-ja u zotua të mërkurën se do të dhurojë edhe 18 obusë të tipit “M777”, përpos 108 që tashmë i ka dhuruar, këto shifra nuk i afrohen numrit që e kërkon Kievi. Disa figura kyçe duan që Ukrainës t’i dhurohen 1.000 obusë.

Dallimi në armatim lë të kuptohet se nga ushtarët e Ukrainës mund të kërkohet shumë sakrificë për ca kohë, duke e ngritur pyetjen nëse vendi mund ta përballojë humbjen e më shumë se 20.000 njerëzve në muaj, përderisa armët perëndimore po arrijnë në sasi më të vogël sesa që është shpresuar.

Sidoqoftë, të dy ushtarët e plagosur këmbëngulin se lufta e Ukrainës kundër Rusisë është e nevojshme. Nikolai tha se ai mori pjesë si vullnetar që djali i tij, Dima, që jeton në Southampton të Britanisë të mos detyrohej që të vinte në luftë. “Dua që gjenerata ime të luftojë në mënyrë që fëmijët e mi thjesht të mund t’i rrisin nipat e mbesat e të jetojnë në paqe.”

Kur Oleksandri u pyet nëse ishte vënë në një situatë ku nuk mund të fitonte, në një llogore të thellë një metër e gjysmë duke u ballafaquar me fuqinë e artilerisë ruse, ish-elektricisti u mat për një moment. “Nuk duhet të përgjigjem në këtë pyetje”, tha ai. Atëherë, a do ta bënte tërë këtë përsëri, duke ditur se çfarë i ka ndodhur? “Po. Nuk ka dyshim. Kush tjetër do ta bëjë”, tha ai.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Tjera nga autori:
1