<b>Krimi rrëqethës:</b> 15-vjeçari ukrainas rrëfen se si ia vranë babanë para syve, atë e plagosën

Krimi rrëqethës: 15-vjeçari ukrainas rrëfen se si ia vranë babanë para syve, atë e plagosën

12.05.2022 11:52

Përderisa e dëgjonte babanë duke vdekur, djali qëndronte pa lëvizur në asfalt. Bërryli i digjte në vendin ku e kishte shpuar plumbi.

Cara Anna, "Associated Press"

Një vrasje tjetër po ndodhte në një rrugë boshe në Buça, në periferi të kryeqytetit ukrainas, Kiev, ku ende po zbulohen trupa të civilëve, disa javë pas tërheqjes së trupave ruse. Shumë prej tyre ishin qëlluar në kokë.

15-vjeçari Yura Nechyporenko për pak s'u bë njëri prej tyre.

Dëshmitarët kanë treguar se si ushtarët i kanë shkrepur armët afër këmbëve të tyre ose se si i kanë kërcënuar me granata, por janë qetësuar nga kolegët. Sidoqoftë, askush nuk qëlloi afër që ta qetësonte ushtarin rus në atë ditë marsi, kur Yura dhe babai i tij, 47-vjeçari i quajtur Ruslan, po lëshoheshin me biçikleta nëpër një rrugë me drurë anash.

Ata ishin rrugës për t’i vizituar fqinjët e pambrojtur, që po strehoheshin në bodrume dhe shtëpi pa rrymë e ujë rrjedhës. Në biçikletat e tyre kishte copa të bardha pëlhure – shenjë se ata po udhëtonin në paqe.

Kur ushtari doli nga një rrugicë e ndotur për t’i sfiduar, Yura dhe babai i tij u ndalën menjëherë dhe i ngritën duart.

“Çfarë po bëni”, rikujton djaloshi të jenë pyetur nga ushtari rus. Ushtari nuk i dha kohë që të përgjigjej babait të të riut.

Djali dëgjoi dy të shtëna. Babai i tij u rrëzua, me gojë të hapur, tashmë duke i rrjedhur gjaku.

Një plumb e goditi dorën e Yura-s dhe edhe ai u rrëzua, gjithashtu. Një tjetër e goditi në bërryl. I mbylli sytë.

U dëgjua edhe një e shtënë e fundit.

Rrëfimi i jashtëzakonshëm i këtij djaloshi, i cili përshkruan një vrasje të pretenduar nga forcat ruse, dallohet nga të tjerët, kur ekspertët e drejtësisë ndërkombëtare po arrijnë në Buça, qendër e tmerreve dhe krimeve të mundshme të luftës në Ukrainë. Më shumë se 1.000 trupa janë gjetur deri më tani në Buça dhe në vendbanimet e tjera përreth Kievit. Vetëm në Buça, 31 fëmijë nën moshën 18-vjeçare janë vrarë dhe 19 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale.

Yura po rritet, thatanik e me shenja, me lëkurë të errët nën sy. Rrita i është hedhur me ngut krahëve. Përderisa qëndron i shtrirë në dyshemenë e shtëpisë së familjes së tij për ta demonstruar atë që ka ndodhur, ai i tregon shenjat që po i shërohen në bërryl.

Nëna e tij, Alla, merr frymë thellë për ta qetësuar veten. Yura, duke i ngritur, ia vendos dorën mbi krahë, pastaj kokën në gjoks.

Në atë ditë të tmerrshme, Yura i mbijetoi vrasjes në tentativë nga hiri i çuditshëm i “duksit” të tij të hirtë. Rroba u qëllua në vend të tij dhe ai e ndjeu lëvizjen e saj.

Yura qëndroi i shtrirë në rrugë disa minuta pas të shtënave, duke pritur që ushtari të largohej.

Pastaj, vrapoi. Arriti te çerdhja e fëmijëve, ku punonte nëna e tij dhe ku disa banorë e shfrytëzonin bodrumin e ndërtesës si vend për strehim. Kur e panë djalin, u tmerruan. Ia dhanë ndihmën e parë.

Ai kuptoi se i duhej të shkonte në shtëpi. U kthye rrugëve, pa ditur se ku mund të jetë ushtari i radhës.

Kur arriti në shtëpi, familja e tij e thirri policinë. Policia tha se nuk mund të bëjë asgjë, sepse nuk e kishin nën kontroll atë zonë, sipas familjes. Të njëjtën gjë e tha edhe shërbimi i ambulancës.

Sipas xhaxhait të djaloshit, Andriy, policia i tha familjes se nuk di se çfarë të bëjë me rastin. Në raportin e prokurorit, vrasja dhe vrasja në tentativë përshkruhen me pak fjali të thjeshta, përfshirë humbjen e telefonit të babait të Yura-s. Ai do të ishte i dobishëm tani. Ishte avokat.

Prokurori Kravchenko i tha agjencisë “Associated Press” se prokuroria po vazhdon të punojë për rastin e djaloshit dhe shprehu besim se krimet e kryera gjatë luftës në Ukrainë mund të hetohen me sukses. Mes tjerash, po analizohen pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë në Buça dhe po mblidhet një album për identifikimin e fytyrave të ushtarëve rusë.

Në mars, prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve njoftoi se hetimet për krimet kundër fëmijëve, në veçanti, do të përfitojnë nga një fond i ri. Fëmijët përbëjnë gjysmën ose më shumë se gjysmën e njerëzve të prekur nga konflikti, por ata shpesh etiketohen si shumë të ndjeshëm për të dëshmuar ose si persona që kanë kujtesë të pasaktë, sipas Veronique Aubert-it, këshilltare e posaçme për krimet ndaj fëmijëve e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve.

Marrja e trupit të babait të Yura-s iu la familjes. Ata e bënë këtë ditën pasuese. Gjyshja e djaloshit, që është në të shtatëdhjetat, iu lut ushtarëve rusë që ta lejojnë t’i afrohej kufomës.

Me armë të gatshme për zjarr, ata e lanë gruan e moshuar që të ecte para tyre. Një ushtar bërtiti nga largësia: “Mos ejani këtu ose do t’ju vrasim”. Megjithatë, ai nuk qëlloi.

E sollën trupin e babait të Yura-s në shtëpi me një karrocë të thjeshtë pune. Kufomën e mbështollën me një qilim dhe e vendosën mbi një derë të vjetër druri. Nën zërin e granatimeve e të shtënave, e varrosën në oborr, prapa plevicës së drurëve, në njërin nga varret e shumta të improvizuara, të hapura me ngut gjatë luftës.

Yura dhe familja e tij u larguan nga Buça ditën pasuese përmes një korridori të rrallë evakuimi. Djaloshi i plagosur eci i pari rrugëve, duke mbajtur një shkop me një peshqir të bardhë lidhur në të. Një fashë të bardhë e kishte lidhur në krah. Familja u desh të kalonte pranë skenës së të shtënave.

Përderisa po i afroheshin pikës së evakuimit, ushtarët rusë i pyetën se ku po shkonin dhe se çfarë i kishte ndodhur djalit.

“Jam qëlluar nga një ushtar rus”, u përgjigj ai.

Në atë moment, nëna e tij u tmerrua. “M’u duk se gjithçka brenda meje u shemb. Mendova se do të na qëllonin të gjithëve”, tha ajo. Sidoqoftë, kërkoi nga ushtarët që t’i linin të kalonin, duke u thënë se po bëhej vonë. Ata pranuan. Familja u largua nga qyteza atë ditë.

“Duksi” i hirtë, me gjak te pjesa e bërrylit, tash është në qendër të përpjekjeve të familjes për të kërkuar drejtësi. Shtresa e sipërme e rrobës është prerë. Nëna e Yura-s këmbëngul se kjo është dëshmi që nuk mund të shpërfillet.

Familja u kthye në Buça në mesin e prillit, pas tërheqjes së rusëve. E hapën varrin e babait të djaloshit dhe e varrosën përsëri në varrezat lokale.

Familja e djalit po vazhdon që ta luajë rolin e hetuesve, duke e kontrolluar zonën e të shtënave për të gjetur dëshmi të reja. Ata po u bëjnë pyetje fqinjëve dhe po i analizojnë vrimat në një rrethojë të metaltë.

Përderisa familja ua tregon gazetarëve skenën, Yura endet në barin pranë rrugës, me kokë poshtë, duke kërkuar gëzhoja fishekësh. Ai beson se do të mund ta identifikonte ushtarin rus, edhe pse ushtari kishte maskë në një pjesë të fytyrës.

Yura do ta përfundojë klasën e nëntë këtë vit. Posa të kthehet rryma, ai mund ta vazhdojë mësimin përmes internetit. Deri atëherë, ai po bën punë vullnetare, si babai i vet, duke i vizituar banorët e moshuar.

Nëna e tij po mendon që ta dërgojë djalin jashtë vendit për hir të shëndetit mendor. Edhe asaj i nevojitet pak distancë.

“Kurrë nuk jam vetëm fizikisht, por është e mundshme që të jesh e vetmuar mendërisht. Mundohem që ta shmang këtë”, tha ajo, gati duke qarë.

Rasti i djalit të saj është ende një burim i zbehtë shprese. Ajo beson se ka gjykata dhe se ato do të punojnë. Askush nuk duhet ta përjetojë atë që e përjetoi biri i saj.

Yura ka frikë se ka edhe të tjerë që kanë përjetuar tmerr si ai.

“Nuk jam vetëm unë që dua drejtësi. Njerëzit në Ukrainë ka gjasë që ende janë duke u torturuar e duke u vrarë edhe tash”, tha ai.

Më 12 prill, Yura i mbushi 15 vjet. Ishte ditëlindje e qetë. Babai i tij, që dallohej si gatues i mirë, zakonisht piqte mish për t’ia festuar ditëlindjen djalit.

“Të gjithë fëmijët u vranë ose u lënduan qëllimisht, pasi ushtarët rusë qëllimisht qëllonin në drejtimin e veturave me persona të evakuuar, në të cilat shkruhej “FËMIJË” dhe që ishin shënuar me pëlhura të bardha, ata qëllimisht i qëlluan shtëpitë e civilëve”, i tha agjencisë “Associated Press” kryeprokurori i rajonit Buça, Ruslan Kravchenko.

Zyra për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara thotë se të paktën 202 fëmijë në mbarë Ukrainën janë vrarë në luftë dhe beson se numri real është dukshëm më i madh. Sipas autoriteteve ukrainase, 217 fëmijë janë vrarë e 390 janë plagosur.

Xhaxhai i djaloshit, Andriy, po e përcjell nga afër të riun këtyre ditëve. Yura ka qenë gjithmonë fëmijë i mirë, por tash është bërë nevrik e i shqetësuar, duke lëvizur nga një detyrë te tjetra. Andriy ka frikë se trauma e mbijetesës do ta prekë nipin e tij dhe e vajton fëmijërinë e dëmtuar të djaloshit.

“Kjo ma copëton shpirtin. Ajo që shohim janë vuajtja pas vuajtjes. (Presidenti rus) Putini thjesht vendos që të na bëjë të vuajmë, ne vuajmë”, tha ai.

Përktheu: Nasuf Abdyli - Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1