<b></b> Kryeministri britanik Boris Johnson përballet me votë mosbesimi nga partia e tij

Kryeministri britanik Boris Johnson përballet me votë mosbesimi nga partia e tij

06.06.2022 17:35

Ligjvënësit konservatorë i kanë dhanë kryeministrit Boris Johnson një goditje potencialisht vdekjeprurëse për lidershipin e tij, pas vendimit për të mbajtur një votë mosbesimi, që mund ta largojë Johnson nga pushteti pas më shumë se 2 vitesh nga fitorja e tij në zgjedhje.

Sipas NYT, lëvizja për votë mosbesimi, është shpallur nga Graham Brady, i cili drejton një komitet të deputetëve konservatorë, dhe vjen pas disa mujash krize mes pretendimeve se Johnson ka mashtruar Parlamentin në lidhje me festimet në Downing Street, që thyen rregullat e bllokimit gjatë pandemisë së koronavirusit.

Këtë vit Johnson u bë kryeministri i parë në detyrë që është gjobitur nga policia për shkelje të ligjit, pasi u zbulua se ka marrë pjesë në një tubim për festimin e ditëlindjes së tij. Ndërsa muajin e kaluar një nënpunëse e lartë civile, Sue Grey, publikoi një raport duke treguar prova për shkelje të ligjit gjatë kohës së pandemisë, duke shfaqur zyrtarët teksa pinin alkool, dëmtonin pronën dhe duke u grindur me njëri-tjetrin.

E tani, kur vendi është duke u përballur me erëra të ashpra ekonomike dhe me rritjen e inflacionit, popullariteti personal i Johnson ka rënë, duke pasur kështu edhe ulërima ndaj tij nga njerëzit, gjatë pjesëmarrjes së tij në jubileun e Mbretëreshës Elizabeth.

Në një deklaratë të dhënë, konservatori Brady, tha se më shumë se 15 për qind e anëtarëve konservatorë të Parlamentit kanë kërkuar një mocion mosbesimi, dhe njoftoi se votimi do të bëhet të hënën në mbrëmje midis orës 18 dhe 20:00.

Në mënyrë që të vazhdojë të mbetet lider, Johnson tani duhet të fitojë një shumicë nga deputetët e partisë së tij Konservatore. Kjo do të thotë se ai ende ka shansë për të mbajtur pozitën pasi për ta rrëzuar atë duhet të mblidhen gjithsej 180 vota.

Votimi do të jetë i fshehtë, duke lejuar edhe ata që deklarojnë publikisht se janë besnikë ndaj Johnson të tërheqin mbështetjen e tyre nga ai. Ndërkaq, nëse Johnson humb, do të nisë gara për ta zëvendësuar atë si kryetar partie dhe si kryeministër të vendit.

Pavarësisht thirrjeve për dorëheqjen e tij dhe rënies së vlerësimeve të opinionit, deri më tani Johnson ka luftuar fort për të frenuar kritikat e brendshme për sjelljen e tij dhe për të parandaluar votën e besimit.  Por, pavarësisht këtyre përpjekjeve, Brady konfirmoi se ka kaluar pragun prej 54 letrash nga ligjvënësit konservatorë që nevojiteshin për të mbajtur një votë mosbesimi.

Një mocion i ngjashëm mosbesimi në Britani, ishte mbajtur në vitin 2018, kur Theresa May atëkohë kryeministre e vendit i mbijetoi garës, megjithatë u detyrua të jepte dorëheqje pak muaj më vonë.

Tjera nga autori:
1