<b></b> Kur afrikanët kërkonin vaksina, nuk i morën, tash s’po i duan më

Kur afrikanët kërkonin vaksina, nuk i morën, tash s’po i duan më

18.05.2022 09:52

Është zhurmë brenda klinikës e Mamprobi-t, në Accra të Ganës. Fëmijët po u kacavirren nënave të tyre përderisa po presin që të vaksinohen kundër fruthit. Jashtë, një zonë e rezervuar për vaksinim kundër Covid-19 është bosh. Një punëtor shëndetësor është mbështetur në karrige dhe po shikon në ekranin e tabletit të tij.

Reuters

Një grua, që po pret për ta vaksinuar të bijën, është plotësisht e vetëdijshme për rreziqet e fruthit: temperatura e lartë, puçrrat, rreziku për sytë. Po Covid-19? Ajo kurrë nuk ka dëgjuar për ndonjë rast.

Përshtypja se Covid-19 nuk paraqet rrezik të konsiderueshëm është e zakonshme në kryeqytetin e Ganës dhe në pjesët e tjera të Afrikës, rinia e të cilës ka pësuar me një pjesë të viktimave që e kanë shtyrë marrjen e vaksinës në vendet si Evropa dhe Amerika, ku sëmundja e goditi popullsinë e moshuar.

“Dua të them, Gana është kursyer deri më tani duke e bërë atë që jemi duke e bërë. Kam dëgjuar njerëz duke thënë se është e logjikshme (të vaksinohesh), por si është puna me të gjitha shtetet e tjera që e kanë marrë atë (vaksinën) dhe ende i izolojnë njerëzit”, tha Nana Kwaku Addo, punëtor 28-vjeçar i ndërtimtarisë në Accra.

Vetëm 17 për qind e popullsisë prej 1.3 miliard njerëzish të Afrikës është vaksinuar plotësisht kundër Covid-19 – në krahasim me mbi 70 për qind në disa shtete – pjesërisht për shkak se vendet më të pasura rezervuan doza vitin e kaluar, kur kërkesa globale ishte më e madhja, në kurriz të vendeve afrikane, që kishin nevojë për furnizim nga komuniteti ndërkombëtar.

Tash, sidoqoftë, kur dozat më në fund po arrijnë në kontinent, shkalla e vaksinimit po bie. Numri i dozave të dhëna ra për 35 për qind në mars, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke e fshirë rritjen prej 23 për qind në shkurt. Njerëzit frikësohen më pak tani. Dezinformatat për vaksinat janë përhapur.

“Nëse do t’i kishim vaksinat më herët, kjo gjë nuk do të kishte ndodhur kaq shpesh. Fillimisht, secili vërtet e dëshironte (vaksinën), por nuk i kishim vaksinat”, tha Christina Odel, udhëheqëse e ekipit shëndetësor për Covid-19 në klinikën e Mamprobi-t.

Kjo i shqetëson specialistët e shëndetit publik, të cilët thonë se lënia e një popullsie kaq të madhe të pavaksinuar e rrit rrezikun për shfaqjen e varianteve të reja në kontinent para se të përhapen në rajonet si Evropa, kur qeveritë atje po heqin dorë nga përdorimi i detyrueshëm i maskave dhe kufizimet e udhëtimeve./Nacionale

Tjera nga autori:
1