<b>Kur një zonë lufte</b> duket më e sigurt: U trajtuan keq në Evropë, romët e Ukrainës kthehen në shtëpi

Kur një zonë lufte duket më e sigurt: U trajtuan keq në Evropë, romët e Ukrainës kthehen në shtëpi

19.04.2022 22:07

Organizatat bamirëse thonë se disa nga 50,000 romët që u larguan nga Ukraina pas pushtimit rus dhe kërkuan strehim përtej kufirit po kthehen prapa, pas trajtimit të keq nga vendet pritëse në Evropë.

Ndonëse nuk ka shifra të sakta, shumë nga rreth 50,000 romë që u bënë refugjatë kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, po paketojnë valixhet dhe po shkojnë në shtëpi vetëm disa javë pasi ikën.

Jonathan Lee, një menaxher avokimi dhe komunikimi në Qendrën Evropiane për të Drejtat e Romëve (ERRC), tha për The Independent, se disa nga romët u kthyen sa dëgjuan që zonat e tyre nuk po shënjestroheshin nga trupat ruse.

"Të tjerët janë kthyer sepse u përballën me kushte më të këqija në vendin pritës dhe me pak ndihmë nga autoritetet publike, kështu që nuk ishin në gjendje të vendoseshin," tha zoti Lee.

Të ngarkuar me pak më shumë se rrobat në shpinë dhe të rënduar nga një histori e gjatë diskriminimi dhe persekutimi vdekjeprurës në vendet evropiane, refugjatët romë konsiderohen disa nga viktimat më të cenueshme të kësaj lufte.

“Nga raportet që marrim javë në javë, është normë që romët do të përballen me neglizhencë, abuzim verbal ose trajtim të pabarabartë në gjëra të tilla si sigurimi i ushqimit dhe ilaçeve urgjente, akomodimi dhe transporti,” tha Lee.

Dhe ndërsa ERRC thotë se ata ende nuk kanë parë prova të abuzimeve sistematike të të drejtave të njeriut të refugjatëve romë nga autoritetet, njoftoi se "shkalla e keqtrajtimit nga shumë individë dhe grupe në vende të ndryshme ka qenë tronditëse."

Anzhelika Bielova, një aktiviste rome dhe vullnetare në ERRC, tha se kishte marrë një varg raportesh për keqtrajtime nga disa vende evropiane.

“Kjo varion nga ushqimi nën standard dhe rregullimet e jetesës në Moldavi, deri te dëbimi nga qendrat e mirëseardhjes dhe dërgimi në qytete të largëta në Republikën Çeke, si dhe marrja e më pak ndihmë se familjet jo-rome,” tha ajo për The Independent.

Sipas zonjës Bielova, diskriminimi ka qenë një faktor kyç në vendimin e njerëzve për t'u kthyer në një zonë lufte, pavarësisht nga rreziqet e dukshme.

Përveç kësaj, "niveli i ulët i arsimit të komunitetit ... krijon pamundësi për të gjetur një punë, për të gjetur strehim, për të marrë ndihmë," shtoi ajo. “Prandaj, njerëzit janë të detyruar të kthehen në rrezik, por [është] shtëpia, ku për ta gjithçka është e qartë dhe ka një jetë normale”.

Përpara se të përballeshin me sfidat e të qenit një refugjat rom në një vend evropian, shumë anëtarë të komunitetit pa pasaporta kishin frikë se nuk do të kalonin as kufirin drejt sigurisë.

Sipas Kombeve të Bashkuara midis 4 dhe 8 për qind e 400,000 romëve në Ukrainë nuk kanë pasaporta.

"Shumë romë pa dokumente kaluan në Moldavi (e cila hapi plotësisht kufirin e saj), por atje janë përballur me ndarje nga jo-romët në qendrat e pritjes së refugjatëve në kushte të këqija jetese."

Por shumë kohë përpara se trupat ruse të hynin në Ukrainën fqinje dhe të zhvendosnin më shumë se 11 milionë njerëz, komuniteti rom ishte përballur me diskriminim të dhunshëm.

Në vitin 2018, Human Rights Watch raportoi se sulmuesit e maskuar kishin ndjekur gra dhe fëmijë me gurë dhe sprej piper pasi u kishin djegur tendat në një vendbanim rom në Kiev.

Në vitin 2021 anëtarët e një grupi radikal që mbanin pishtarë të ndezur shkuan derë më derë në qytetin e Irpin duke bërë thirrje për dhunë kundër banorëve lokalë romë në përgjigje të një sulmi të raportuar ndaj një burri nga dy adoleshentë romë.

Pas viteve të diskriminimit, situata tashmë e pasigurtë e rumo-ukrainasëve, është përkeqësuar edhe nga lufta.

“Këta numra të pafund incidentesh të vogla në një shkallë të gjerë vërtetojnë se si anti-ciganizmi në shoqëritë evropiane është ngulitur kaq thellë dhe nuk zbehet thjesht sepse ka shpërthyer një luftë,” tha zoti Lee.

Sot, dhjetëra mijëra anëtarë të komunitetit rom e gjejnë veten larg atdheut, në vende që nuk i kanë mirëpritur kurrë romët dhe shpesh kanë punuar për t'i margjinalizuar ata.

“Tashmë kemi dëgjuar se romët nuk janë refugjatë të vërtetë – ka akuza se romët janë thjesht emigrantë ekonomikë që përfitojnë nga ndihma humanitare. Ky është i njëjti argument që u përdor kundër refugjatëve romë që ikën nga lufta në Kosovë mbi 20 vjet më parë; është e njëjta akuzë e ngritur ndaj afrikano-veriorëve që kalojnë Mesdheun me gomone,” shpjegoi z. Lee.

“Është një retorikë e rrezikshme që mund të çojë në rrezikun real të shkeljeve të të drejtave të njeriut kundër refugjatëve romë në vendet pritëse, veçanërisht në ato në kufi me Ukrainën, ku një numër i madh romësh të margjinalizuar janë duke qëndruar.”

Tjera nga autori:
1