<b></b> Le Pen pas zgjedhjeve: Një fitore historike dhe ngjarje sizmike në politikën franceze

Le Pen pas zgjedhjeve: Një fitore historike dhe ngjarje sizmike në politikën franceze

20.06.2022 16:11

Liderja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen tha të hënën se rritja e jashtëzakonshme e partisë së saj në zgjedhjet parlamentare të vendit është një "fitore historike" dhe një "ngjarje sizmike" në politikën franceze.

Kujtojmë se në sondazhin e së dielës shumë votues, zgjodhën kandidatët e ekstremit të djathtë ose të majtë, duke i privuar kështu partisë së presidentit Emmanuel Macron një shumicë në Asamblenë Kombëtare.

“Tubimi Kombëtar” i Le Pen mori 89 vende në parlamentin prej 577 anëtarësh, nga tetë që kishte më parë, në anën tjetër, koalicioni i majtë Nupes, i udhëhequr nga Jean-Luc Melenchon, fitoi 131 vende, duke u bërë kështu forca kryesore e opozitës.

Aleanca e Macron fitoi shumicën e vendeve - 245 - por ra me 44 vende nga ç’kishte më parë.

Rezultati i zgjedhjeve legjislative është shumë i pazakontë në Francë dhe performanca e fortë e partisë së Le Pen-it dhe koalicionit të Melenchon – i përbërë nga partia e tij e majtë, Franca e Papërkulur, Socialistët, Të Gjelbrit dhe Komunistët – do ta bëjë më të vështirë për Macron, që të zbatojë axhendën  e tij.

“Macron është president i pakicës tani. Plani i tij i reformës së pensionit është varrosur”, deklaroi Le Pen të hënën, duke shtuar se “është një fitore historike... një ngjarje sizmike.”

Sipas Associated Press, ajo u tha gazetarëve: “Ne po hyjmë në parlament si një grup shumë i fortë dhe si i tillë do të pretendojmë çdo post që na takon”.

Partia e ekstremit të djathtë të Le Pen tani ka një numër të mjaftueshëm deputetësh për të krijuar një grup formal në Asamblenë Kombëtare dhe për të kërkuar vende në komisione të tjera, duke përfshirë një komision hetimor parlamentar.

Për më tepër, partia  Tubimi Kombëtar tani ka mjaft vende - më shumë se 58 - për të shkaktuar një mocion censure kundër qeverisë që mund të çojë në një votë mosbesimi.

Tjera nga autori:
1