Lëvizje simbolike nga Ukraina, ngrit çështje gjyqësore kundër Rusisë në Gjykatën Evropiane - NACIONALE

Lëvizje simbolike nga Ukraina, ngrit çështje gjyqësore kundër Rusisë në Gjykatën Evropiane

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ukraina ka njoftuar të enjten, se ka ngritur zyrtarisht një rast kundër Rusisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për t’i dhënë fund “ shkeljeve masive dhe të rënda të të drejtave të njeriut,” nga forcat ruse gjatë luftës në Ukrainë.

Reuters shkruan se, veprimi i vendit quhet simbolik, duke qenë se më 7 qershor, parlamenti rus ka miratuar dy projektligje që i japin fund juridiksionit të kësaj gjykate në Rusi, çka nënkupton se kjo çështje nuk ka asnjë shans për sukses.

Në një deklaratë nga ministria e Drejtësisë së Ukrainës, thuhet se: “Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pushtimi rus i Ukrainës është i paligjshëm. Gjykata do të ftohet të zbulojë se Rusia ka qenë fajtore për shkeljet më flagrante, serioze dhe të qëndrueshme të Konventës të paraqitura ndonjëherë përpara Gjykatës dhe të japë shpërblim të drejtë në një shkallë po aq të paprecedentë”.

Dosja e dërguar në gjykatë mbulon periudhën e parë të luftës, nga 24 shkurti deri më 7 prill, datë kur Rusia tërhoqi forcat e saj tokësore nga rrethi i Kievit dhe qyteteve të tjera veriore.

Deri më tani, Moska ka mohuar akuzat e Ukrainës dhe qeverive perëndimore për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë luftës. Por, në muajin mars, gjykata e lartë e Kombeve të Bashkuara për mosmarrëveshjet midis shteteve urdhëroi Rusinë të ndalonte operacionet ushtarake, duke thënë se ishte thellësisht e shqetësuar nga përdorimi i forcës nga Moska.

Lajme të ngjashme