<b></b> Liderët çekë dhe austriakë thonë se Ballkani Perëndimor nuk duhet të harrohet

Liderët çekë dhe austriakë thonë se Ballkani Perëndimor nuk duhet të harrohet

18.05.2022 08:50

Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është në interes të Republikës Çeke dhe Austrisë, thanë të martën në Pragë kryeministri çek, Petr Fiala dhe homologu i tij austriak Karl Nehammer.

Fiala dhe Nehammer u takuan në Pragë të martën (17 maj) dhe diskutuan situatën në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe gjendjen në Bosnje dhe Herzegovinë.

“Bota është përqendruar në luftën në Ukrainë, ndërsa Ballkanit nuk po i kushtohet aq shumë vëmendje”, ka thënë Nehammer pas takimit.

Kancelari i Austrisë vuri në dukje edhe situatën shumë të tensionuar në Bosnje. “Vëmendja e BE-së është e nevojshme. Nuk do të doja që Ballkani të ndihet sikur ne e harruam kandidaturën e tij për anëtarësim në BE”, shtoi Nehammer.

Fiala konfirmoi se Ballkani Perëndimor është një "çështje e rëndësishme" për presidencën e ardhshme çeke të Këshillit të BE-së.

Praga po mendon organizimin e një samiti të Ballkanit Perëndimor kur të marrë përsipër presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së në korrik, megjithëse kjo do të varet nga ajo se a do të ndjekë planin e saj presidenca aktuale franceze për të organizuar takimin.

“Vendet e Ballkanit po përballen me një sërë kërkesash nga Komisioni Evropian. Është jetike për të dy ne që të shohim një qasje të qartë dhe të drejtë këtu”, tha Nehammer.

Fiala theksoi se BE duhet t'i japë gjithashtu statusin e kandidatit Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur, duke vënë në dukje megjithatë se procesi duhet të përmbushë të gjitha kushtet e kërkuara.

Tjera nga autori:
1