<b></b> Lideri socialist grek thotë se shefi i NATO-s është

Lideri socialist grek thotë se shefi i NATO-s është "ambasador i Erdoganit"

15.06.2022 09:00

Kreu i partisë socialiste greke Pasok ka sulmuar shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi ky i fundit i cilësoi tensionet e reja mes Greqisë dhe Turqisë si “mosmarrëveshje” dhe bëri thirrje për dialog mes dy vendeve.

“Ai [Stoltenberg] nuk mund të jetë edhe ambasador i Erdoganit edhe Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s”, ka thënë Nikos Androulakis.

Tensionet mes Ankarasë dhe Athinës janë përshkallëzuar së fundmi, veçanërisht pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan kërcënoi grekët në një mesazh në Twitter në gjuhën greke.

Turqia po vë në dyshim hapur sovranitetin e më shumë se njëzet ishujve grekë në detin Egje, ndërkohë që shkeljet e hapësirës ajrore të Greqisë janë kthyer në një zakon të përditshëm.

“Ne i bëjmë thirrje Greqisë dhe Turqisë që të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në Egje në një frymë besimi dhe solidariteti aleat. Kjo do të thotë përmbajtja nga çdo veprim apo retorikë që mund të përshkallëzojë situatën. Në një kohë kur lufta e Putinit ndaj Ukrainës ka shkatërruar paqen në Evropë, është edhe mëse e rëndësishme që aleatët të qëndrojnë së bashku”, tha Stoltenberg për agjencinë e lajmeve të Athinës në një intervistë.

“Në të kaluarën, ka pasur incidente që kanë përfshirë forcat greke dhe turke dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar në uljen e rrezikut të aksidenteve të tilla në të ardhmen”, shtoi shefi i NATO-s.

Komentet e Stoltenberg shkaktuan reagime në Athinë pasi të gjitha partitë politike kritikuan qëndrimin neutral të NATO-s për këtë çështje. Reagimi më i fortë erdhi nga lideri socialist i Greqisë, Nikos Androulakis.

“Sfidat në Egje dhe Mesdheun Lindor, kërcënimi i luftës kundër Greqisë, vënia në pikëpyetje e sovranitetit tonë kombëtar në ishujt e Egjeut Lindor dhe doktrina rishikuese e udhëheqjes turke nuk janë thjesht mosmarrëveshje, siç vuri në dukje Stoltenberg”, tha Androulakis.

“Për fat të keq, kjo nuk është hera e parë që Stoltenberg ka zgjedhur të justifikojë regjimin autoritar të Erdoganit dhe madje edhe qëndrimin zhvatës të Turqisë ndaj Suedisë dhe Finlandës.

"Ai nuk mund të funksionojë si ambasador i Erdoganit dhe si sekretar i përgjithshëm i NATO-s," tha Androulakis.

Tjera nga autori:
1