Paralajmëron OBSH: Nuk e dimë a do të mund të kontrollohet lija e majmunëve

Paralajmëron OBSH: Nuk e dimë a do të mund të kontrollohet lija e majmunëve

01.06.2022 18:15

Organizata Botërore e Shëndetësië, ka paralajmëruar se lija e majmunëve mund të mos jetë e kontrollueshme, duke u bërë thirrje njerëzve që “të ulin numrin e partnerëve seksual”, në mënyrë që të frenohet shpërthimi i mëtejshëm.

Në një deklaratë të dhënë të martën, kreu i zyrës së OBSH-së ne Evropë, Dr Hans Kluge, tha se megjithëse përgjigja ndaj lisë së majmunëve nuk do të shkojë në shkallën e kufizimeve të Covidit, autoritetet shëndetësore duhet të ndërmarrin veprime të rëndësishme dhe urgjente për ta ulur kërcënimin nga shpërthimi.

"Por - dhe kjo është e rëndësishme - ne ende nuk e dimë nëse do të jemi në gjendje ta përmbajmë plotësisht përhapjen e saj," paralajmëroi Dr Kluge. Ndërsa, deri më tani OBSH ka pohuar se bota ka "një mundësi për të ndaluar këtë shpërthim".

Zyrtari i OBSH-së shtoi se Evropa është aktualisht në "epiqendrën e shpërthimit më të madh dhe më të përhapur gjeografikisht të lisë së majmunëve të raportuar ndonjëherë" jashtë Afrikës perëndimore dhe qendrore, ku sëmundja është endemike. Ai sugjeroi se shpërthimi i papritur i rasteve sugjeron se transmetimi kishte nisur të zhvillohet qysh nga mesi i muajit prill.

Ndërsa, sipas një ekipi që merret me gjurmimin e përhapjes së lisë së majmunëve, 70% e rreth 700 rasteve të konfirmuara ose të dyshuara të raportuara në mbarë botën janë gjetur në Evropë, ku transmetimi ka qenë i lidhur me grumbullimet e fundit, festat dhe saunat e të rriturve.

"Potenciali për transmetim të mëtejshëm në Evropë dhe vende të tjera gjatë verës është i lartë," paralajmëroi Dr Kluge. "Gjatë muajve të ardhshëm, shumë nga dhjetëra festivale dhe festa të mëdha të planifikuara ofrojnë kontekste të mëtejshme për mundësi të përhapjes."

Ai sugjeroi që përveç izolimit të rasteve dhe monitorimit të kontakteve të tyre, autoritetet shëndetësore duhet të mbështesin aktivisht organizatorët e tubimeve masive për të komunikuar rreziqet e sëmundjes –  si dhe të minimizojnë përhapjen. Kjo përfshin reduktimin e aktivitetit seksual.

“Ne do të ndërpresim transmetimin nëse veprojmë tani… për të rritur ndërgjegjësimin dhe shkëmbimin e informacionit se si njerëzit mund të zvogëlojnë rrezikun e ekspozimit, duke përfshirë zvogëlimin e numrit të partnerëve seksualë që kanë”, tha Dr Kluge.

Deri më tani, shumica e rasteve janë identifikuar tek meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj, por Dr Kluge theksoi se çdokush mund të infektohet.

“Të rinjtë pavarësisht nga gjinia dhe orientimi seksual apo aktiviteti duhet të jenë të vetëdijshëm se si të reduktojnë rreziqet e kapjes dhe përhapjes së lisë së majmunit,” tha ai.

OBSH po ashtu tha se, nuk është ende e qartë nëse virusi mund të "përhapet nga një person te tjetri përmes spermës ose lëngjeve vaginale, e as nëse virusi mund të qëndrojë në këto lëngje trupore për periudha më të gjata kohore".

Por, një zyrtar i lartë shëndetësor britanik tha për The Telegraph se gratë shtatzëna dhe fëmijët janë më së shumti në rrezik dhe duhet të vaksinohen nëse ekspozohen ndaj një rasti të lisë së majmunëve, ndërsa në grupin e të rrezikuarëve janë edhe meshkujt homoseksual.

 “Ata individë që janë në rrezik më të madh janë ata që kanë më shumë partnerë seksualë, për arsye të dukshme, dhe kështu ata gjithashtu futen në grupin e parë.” 

Sipas OBSH-së, lija e majmunëve nuk është një kërcënim i madh për shëndetin publik dhe nuk ka nevojë për vaksinim në masë, pasi që nuk është situatë e ngjashme me Covidin.

Tjera nga autori:
1