<b></b> Lituania ndalon tranzitin e disa mallrave ruse për në Kaliningrad, Rusia paralajmëron hakmarrje

Lituania ndalon tranzitin e disa mallrave ruse për në Kaliningrad, Rusia paralajmëron hakmarrje

20.06.2022 20:00

Lituania mbrojti të hënën vendimin e saj për të ndaluar tranzitin hekurudhor të mallrave nga Rusia në një enklavë ruse të Detit Baltik, në një lëvizje që tërhoqi zemërimin e fortë të Moskës mes tensioneve të larta në rajon.

Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis tha se vendi i tij thjesht po zbatonte sanksionet e vendosura nga BE-ja, anëtare e së cilës është. Ai tha se masat e zbatuara të shtunën u morën pas “konsultimit me Komisionin Evropian dhe sipas udhëzimeve të tij”.

"Mallrat e sanksionuara nuk do të lejohen më të kalojnë tranzit në territorin e Lituanisë," shtoi Landsbergis.

Mallrat në listë përfshijnë çelikun, por janë vendosur të zgjerohen gjerësisht për të mbuluar edhe artikujt e tjerë, nga qymyri te pijet alkoolike.

Ekklava e Kaliningradit, shtëpia e rreth 430,000 njerëzve, është e rrethuar nga Lituania dhe Polonia, një vend tjetër i BE-së, në jug dhe i izoluar nga pjesa tjetër e Rusisë. Trenat me mallra për Kaliningrad udhëtojnë përmes Bjellorusisë dhe Lituanisë. Nuk ka tranzit përmes Polonisë, megjithatë Rusia ende mund ta furnizojë enklavën nga deti, pa rënë në kundërshtim me sanksionet e BE-së.

Ndërkohë, e ashpër ka qenë përgjigjja e Rusisë, e cila ka kërkuar që Lituania të heqë menjëherë ndalimin, me Ministrinë e Jashtme në Moskë që tha se nëse lidhjet e transportit nuk rikthehen plotësisht "Rusia rezervon të drejtën të ndërmarrë veprime në mbrojtje të interesave të saj kombëtare".

“Ky vendim, vërtet i paprecedentë, është shkelje e gjithçkaje. Ne e kuptojmë se është e lidhur me vendimin përkatës të Bashkimit Evropian për shtrirjen e sanksioneve në tranzit (të mallrave). Këtë ne e konsiderojmë gjithashtu të paligjshme”, u tha Peskov gazetarëve të hënën, duke shtuar se situata është më se serioze, dhe ka nevojë për një analizë të thelluar para se vendi të përgjigjet.

Ministria e Jashtme thirri përfaqësuesin kryesor diplomatik të Lituanisë në Moskë për një protestë zyrtare dhe pretendoi se kombi baltik po vepronte në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare. Më vonë Lituania thirri të dërguarin rus në Vilnius për t'i thënë se ndalimi ishte në përputhje me sanksionet e BE-së dhe se nuk kishte asnjë bllokadë të Kaliningradit.

Ndërsa, nga Ukraina ka reaguar, ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba, i cili shkroi në Twitter: “Rusia nuk ka të drejtë të kërcënojë Lituaninë. Moska duhet të fajësojë vetëm veten për pasojat e pushtimit të saj të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës.”

Të hënën, doganat lituaneze thanë se sanksionet, të cilat hynë në fuqi në mes të qershorit, ishin pjesë e paketës së katërt të sanksioneve të BE-së të vendosura më 15 mars.

Tjera nga autori:
1