<b></b> Lituania tani është plotësisht e pavarur nga energjia ruse

Lituania tani është plotësisht e pavarur nga energjia ruse

24.05.2022 09:45

Lituania të dielën ndërpreu importet ruse të energjisë duke përfshirë naftën, gazin natyror dhe energjinë elektrike, duke e bërë atë plotësisht të pavarur nga furnizimet ruse të energjisë.

Nord Pool, bursa pan-evropiane e energjisë, vendosi të ndalojë tregtimin e energjisë elektrike ruse nga importuesi i saj i vetëm në Shtetet Baltike, Inter RAO, që do të thotë se Lituania nuk importon më furnizime ruse të energjisë si naftë, energji elektrike, dhe gaz natyror.

“Jo vetëm që është një moment historik jashtëzakonisht i rëndësishëm për Lituaninë në rrugëtimin e saj drejt pavarësisë energjetike, por është gjithashtu një shprehje e solidaritetit tonë me Ukrainën. Ne duhet të ndalojmë financimin e makinerisë luftarake ruse”, ka thënë ministri i Energjisë, Dainius Kreivys.

Lituania do të arrijë pavarësinë e plotë energjetike kur të zbatojë me sukses sinkronizimin, të plotësojë nevojat e saj për energji elektrike përmes prodhimit lokal të energjisë së gjelbër dhe të bëhet eksportues i energjisë elektrike, theksoi Kreivys.

Për gazin natyror të lëngshëm, terminali në Klaipeda ka marrë ngarkesa nga SHBA. Në të njëjtën kohë, prodhimi vendor i energjisë dhe importet nga vendet e BE-së përmes ndërlidhjeve ekzistuese me Suedinë, Poloninë dhe Letoninë mbulojnë nevojat e vendit për energji elektrike. Ndërkohë, Orlen Lietuva, i vetmi importues i naftës në Lituani, refuzoi të importonte naftë bruto ruse më shumë se një muaj më parë.

Duke komentuar vendimin e Lituanisë për të ndaluar importet e fosileve ruse dhe energjisë elektrike, ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko, postoi në Twitter se ky është "një moment historik vendimtar drejt pavarësisë së energjisë, një shenjë e madhe dinjiteti dhe një shembull motivues për pjesën tjetër të Evropë.”

"Ukraina është e gatshme t'ju mbështesë [Lituaninë] me energjinë tonë elektrike pa karbon," shtoi ai.

Tjera nga autori:
1