<b></b> Loja “CS:GO” krijon varësi dhe kjo manifestohet në disa mënyra

Loja “CS:GO” krijon varësi dhe kjo manifestohet në disa mënyra

10.05.2022 15:57

Varësia nga loja “CS:GO” është reale dhe mund të jetë shumë e dëmshme. Për shumë njerëz, kjo lojë është hobi, ndonëse një i tillë që merr sasi të tepërt të kohës.

Ndonëse lojërat kompjuterike kanë qenë të qasshme për gati 50 vite, loja “CS:GO” (“Counter Strike: Global Offensive”) është relativisht e re dhe studimet për dëmet e saj janë ende në fazat e hershme. Ekspertë të ndryshëm kanë sjellë konkluzione të ndryshme për atë nëse ky problem duhet të quhet varësi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e shtoi “çrregullimin e lojërave” në versionin e vitit 2018 të librit të referencave mjekësore, të quajtur “Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve”. Sidoqoftë, manuali i Shoqatës Amerikane të Psikiatërve nuk shkoi aq larg, ndonëse thuhet se varësia nga video-lojërat, përfshirë varësinë nga loja “CS:GO”, mund të shtohen në listën e versioneve të ardhshme.

Manuali i kësaj shoqate përmban një sektor për t’i ndihmuar njerëzit dhe mjekët që t’i identifikojnë shenjat e hershme të video-lojërave problematike, përfshirë lojën “CS:GO”, dhe një listë të simptomave dhe trajtimeve për varësinë nga kjo lojë.

Varësia nga loja “CS:GO” mund të manifestohet në mënyrë të ndryshme te njerëz të ndryshme, sipas parapëlqimeve të tyre për lojën ose çrregullimeve të tjera mendore. Zakonisht, varësia shfaqet në shfrytëzimin e kohës së tepërt duke luajtur ose duke i shpërfillur aspektet e tjera të jetës.

Te fëmijët, varësia nga loja e famshme mund të manifestohet duke luajtur fshehurazi ose duke gënjyer për kohën e kaluar në lojë. Fëmijët gjithashtu mund të bëhen të irritueshëm ose të zemëruar, kur nuk luajnë dhe mund të mos jenë të angazhuar si zakonisht në jetën normale.

Loja “CS:GO” ka disa tipare që ndikojnë që lojtarët të jenë më të rrezikuar nga shfaqja e problemeve ose nga prekja nga varësia. Sipas hulumtimeve, lojërat si “CS:GO” krijojnë dukshëm më shumë varësi se lojërat e tjera.

Njëra nga arsyet pse ndodh kjo, është për shkak se sasia e kohës, që nevojitet për t’u ngritur në nivele më të larta, rritet në masë të konsiderueshme me kalimin e kohës, duke i detyruar lojtarët që të shpenzojnë më shumë orë për ta arritur përvojën e njëjtë të ngritjes së nivelit.

Nëse jeni prindër dhe jeni të shqetësuar për sasinë e kohës që fëmija juaj e kalon duke e luajtur lojën “CS:GO”, shikoni se sa mirë qëndron fëmija në shkollë dhe në shoqëri. Notat e mira në shkollë dhe raporti i mirë me shokët e shoqet janë shenja të mira se loja “CS:GO”, edhe nëse është luajtur për një kohë të gjatë”, nuk ka shkaktuar ende varësi.

Disa nga simptomat emocionale të varësisë nga loja “CS:GO” janë nervozizmi, kur ka mungesë të qasjes në lojë, përdorimi i gënjeshtrës ndaj familjes dhe miqve në lidhje me sasinë e kohës së kaluar duke luajtur, izolimi nga të tjerët për të kaluar më shumë kohë duke luajtur dhe preokupimi me mendime për aktivitetin e mëparshëm në lojë ose me pritjen për të luajtur përsëri.

Disa nga simptomat fizike janë: lodhja, migrena, sindromi i kyçeve të dorës dhe higjiena e keqe personale.

Lënia e kësaj loje nuk është e lehtë, kur krijon varësi. Shumë njerëz mund të mendojnë dhe të funksionojnë më mirë pasi kanë hequr dorë nga loja, por nevojitet kohë që truri të rimëkëmbet nga loja e tepërt, mungesa kronike e gjumit dhe izolimi social.

Largimi nga loja nuk është i lehtë dhe lojtarët zakonisht përjetojnë simptoma si boshllëku, mërzia dhe ndjenja e vetmisë, mungesa e interesimit për aktivitete të ndryshme, vështirësitë në përqendrim dhe në kryerjen e detyrave komplekse, ankthi ose depresioni, ndryshimi i pakontrollueshëm i ndjenjave ose i disponimit, vështirësitë për ndërveprim social dhe gjatë ballafaqimit me obligime, padurimi dhe shpërthimet emocionale.

Një masë që mund t’i ndihmojë lojtarët që ta largojnë varësinë nga loja “CS:GO” është trajtimi me terapinë njohëse të sjelljes. Kjo terapi është këshillim që i mëson lojtarët se si t’i zëvendësojnë mendimet për lojë në mënyrë që, më pas, të ndryshohet edhe sjellja.

Teksti është marrë nga faqja “World Best Rehab”. Përktheu: Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1