Lufta që e shpërfaqi racizmin e gërditshëm: Polonia, me stafetë në dorë - NACIONALE

Lufta që e shpërfaqi racizmin e gërditshëm: Polonia, me stafetë në dorë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pija e nxehtë, që po e derdh në gotë zotëria me kapele të zezë, në fotografinë ilustruese të këtij teksti, nuk do të përfundojë në gojën e fëmijës që ia kanë zënë rrugën dy ushtarë. Ajo mund të përfundojë në gojën e ndonjë fëmije që ka ngjyrë më të bardhë të lëkurës, mundësisht edhe flokë më të bardha dhe që nuk vjen nga Siria apo Afganistani. Polakët nuk e ndezin reshonë për këdo. Janë “do kritere”.

Pas pamjeve të rënda të civilëve të vrarë rrugëve e pyjeve të Ukrainës, audienca botërore filloi të lehtësohej pak, kur shihte mijëra civilë ukrainas duke shpëtuar nga rreziku i luftës e duke hyrë në vendet fqinje, që priteshin me çokollata. Në qendër të vëmendjes: Polonia. Ky vend ra në sy për të mirë për zemërgjerësinë e treguar për refugjatët ukrainas. Raportohet se ka pranuar mbi 3 milionë. Për t’u duartrokitur. Megjithatë, le ta kthejmë kujtesën disa muaj para, sepse ky nuk është fundi i rrëfimit. Polonia nuk është “nënë” për refugjatët. Të paktën, jo për të gjithë.

Diku në një pyll me drurë të gjatë, në fshatin polak, Bohoniki, shihen katër varre. Ato janë mbuluar me degë pishash, që krijojnë kontrast me ngjyrën e dheut. Vërehet se tri varre mbajnë kufoma të personave të rritur, ndërsa një tjetër është varr fëmije. Në krye të tyre janë vendosur pllaka të vogla me emrat e të vdekurve. Mbi emrat e tyre shihen gjysmëhëna dhe ylli – shenja që tregojnë se ata s’janë polakë. Këto shenja, ndoshta, ishin vulë për fatin e tyre – që ata të përfundonin mu në këtë pyll.

Sipas një raportimi të gazetës së mirënjohur britanike, “The Guardian”, të publikuar më 8 shkurt, vetëm 16 ditë para fillimit të luftës në Ukrainë, të paktën 19 azilkërkues kanë vdekur gjatë mosmarrëveshjes mes Bjellorusisë dhe Polonisë për ta. Shumica vdiqën nga acari. Disa u varrosën në fshatin Bohoniki, afër qytezës polake, Sokolka. Njerëzit i thanë gazetës britanike se kanë gjetur trupa refugjatësh të shqyer nga kafshët.

Një familje azilkërkuesish tha se u detyrua që ta varrosnin trupin e nënës, duke e mbuluar me gjethe. “Në zonën e pyllit ku qëndrojnë zakonisht emigrantët, mund ta nuhasësh erën e rëndë të kalbjes”, tha një banor.

Selia e organizatës “Amnesty International” në Mbretërinë e Bashkuar ka raportuar se gati 2.000 azilkërkues janë ndaluar në mënyrë arbitrare nga autoritetet polake. Ata e kaluan kufirin Bjellorusi – Poloni vitin e kaluar. Shumë prej tyre, sipas organizatës, kanë pësuar tortura, përfshirë përdorimin e elektronoshkut kundër tyre.

“Dëbimet masive dhe ndalimi arbitrar i sirianëve dhe të tjerëve ka qenë shumë më ndryshe nga mirëpritja e gjerë, e shfaqur për ata që kanë ikur nga Ukraina. Njerëzit e mbajtur që qendrën e ndalimit, “Wedrzyn”, thanë se rojat kufitare polake i përshëndetën të ndaluarit me fjalët “mirë se erdhët në Guantanamo”, raporton organizata “Amnesty International”.

S’është vetëm rasti i Bjellorusisë

Në fund të vitit të kaluar dhe në javët e para të këtij viti, kur pati krizë refugjatësh në kufirin Bjellorusi – Poloni, autoritetet polake e akuzuan vendin fqinj se i ka organizuar në mënyrë të qëllimshme refugjatët dhe i ka nisur drejt kufirit si hakmarrje për sanksionet evropiane kundër Minskut. Kjo akuzë, me shumë gjasë, ishte e vërtetë. Është raportuar se forcat bjelloruse i kanë ndihmuar refugjatët që të arrijnë deri në kufi. Megjithatë, Polonia duket se nuk e ka problemin vetëm me Bjellorusinë. E ka me racizmin.

Autoritetet polake duket se nuk po i trajtojnë njësoj as njerëzit që po ikin nga Ukraina. Diskriminimi bëhet në bazë të racës. Në video të publikuara në rrjete sociale shihen raste të diskriminimit e dhunës kundër afrikanëve dhe aziatikëve që po ikin nga Ukraina. Ndërkohë, një polak po ia mbush grushtet me çokollata një fëmije ukrainas. Sa pamje e bukur! - Kjo e dyta, në fotografi, jo në video.

21 mars, drejtori i agjencisë për refugjatët, UNHCR, e cila është pjesë e Kombeve të Bashkuara, Filippo Grandi, e cilësoi “realitet neveritës” faktin që disa refugjatë, që po ikin nga Ukraina, po ballafaqohen me racizëm dhe diskriminim.

Racizmi u pa nga larg, shumë larg - nga Nigeria, matanë shkretëtirës së Saharasë. Edhe më keq, për racizëm dyshohen edhe autoritetet ukrainase. Në ditët e para të luftës, në fund të shkurtit, qeveria e shtetit me popullsinë më të madhe në Afrikë e dënoi zyrtarisht trajtimin e mijëra studentëve dhe shtetasve të tjerë të saj në Ukrainë. Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari, në shkurt deklaroi: “Të gjithë që ikin nga një situatë konflikti, e kanë të drejtën e njëjtë për kalim të sigurt sipas konventës së OKB-së dhe ngjyra e pasaportave të tyre ose e lëkurës së tyre nuk duhet të bëjë dallim.”

Kështu, mikpritjes polake për fqinjët ukrainas, në shikim të parë shkëlqyese, po i vjen era e rëndë e racizmit. Në shekullin XXI, një shtet që ndodhet në bllokun e vendeve që i garantojnë me ligj të drejtat e njeriut, në përgjithësi, dhe të drejtat e refugjatëve, në veçanti, dikë e pret me gaz lotsjellës e ujë kamionësh, dikë me ushqim të nxehtë. E gërditshme, thënë më së buti./Nacionale

Lajme të ngjashme