<b></b> Lufta s’është qesharake, por humori po i ndihmon ukrainasit që të ballafaqohen me traumën

Lufta s’është qesharake, por humori po i ndihmon ukrainasit që të ballafaqohen me traumën

14.06.2022 11:11

Për shkak se do të dërgohet së shpejti ushtar në fushëbetejat e Ukrainës, Serhiy Lipko dhe Anastasia Zukhvala vendosën që së pari të martohen, kur shumë çifte po ndahen nga lufta kundër Rusisë.

Associated Press

Si të tjerët, ata patën ceremoni më të vogël dhe më të përshpejtuar sesa që do ta kishin në kohë paqeje, me vetëm disa dhjetëra të ftuar nga rrethi familjar dhe miqtë e ngushtë. Nusja vendosi një kurorë të thjeshtë me lule të kaltra në kokë. Pastaj, për shkak se e qeshura mund të jetë ilaç dhe për shkak se Lipko ishte duke ndërtuar karrierë si humorist para se të thirrej nga vendi për ta mbrojtur, ata u nisën për në një lokal humori në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Atje, kur gruaja e tij po e shikonte nga prapaskena, ai doli në skenë me rroba ngjyrë ulliri dhe shpejt e bëri turmën të shkrihej së qeshuri me humor shpotitës për ushtrinë dhe jetën martesore. Ai bëri shaka duke thënë se trajnimet ushtarake me instruktorët e NATO-s kanë qenë mundësi e mrekullueshme që ta praktikojë anglishten dhe tregoi se sa i shqetësuar ishte gjatë përdorimit të pajisjeve të shtrenjta ushtarake nga frika se do t’i prishte.

Lufta nuk është aspak qesharake, por ukrainasit po mësohet që të qeshin edhe me tmerrin e saj. Jo domosdo pse dëshirojnë, por sepse janë të detyruar – që të mbeten me mend në kokë gjatë mizorisë me dhjetëra mijëra të vrarë, që po i përmbyt Ukrainën, jetën e miliona njerëzve dhe rendin botëror, përderisa po zhvillohet në vijat e frontit në lindje e në jug të vendit.

Presidenti rus dhe ushtarët e tij, sidomos ata që kanë vdekur ose që janë plagosur, janë tema të parapëlqyera të humorit të zi ukrainas në kohë lufte. Por ka vija të kuqe: shaka nuk bëhet me të vdekurit ukrainas dhe me betejat më të zymta, përfshirë rrethimin mizor të Mariupolit dhe fabrikës “Azovstal”. E njëjta vlen edhe për krimet në Buça dhe në vende të tjera.

“Tragjeditë nuk munden dhe nuk do të jenë kurrë objekt i humorit”, tha Zukhvala, e cila gjithashtu është humoriste e komedive “stand up”, përderisa ajo dhe bashkëshorti i saj u përqafuan me butësinë e të porsamartuarve pas shfaqjes së tij dhe morën shumë buqeta lulesh, duke menduar me zë se si do t’ua bënin vendin të gjithave në shtëpi.

“Kjo është absolutisht kohë e çmendur, përtej përvojës së rëndomtë. Jeta jonë tash përbëhet nga paradokset dhe madje mund të jetë edhe qesharake”, tha nusja.

Humoristi më i famshëm i Ukrainës është Volodymyr Zelensky, tash president i vendit, i zgjedhur më 2019. Në emisionin e tij humoristik, “Shërbëtori i Popullit”, ish-aktori e luan rolin e një profesori të dashur të shkollës së mesme, i cili bëhet aksidentalisht president – para se, më vonë, të bëhej vërtet i tillë. Por Zelensky nuk ka pasur shumë arsye për humor nga 24 shkurti, kur hyrja e forcave ruse e bëri atë udhëheqës në kohë lufte. Video-adresimet e tij të përditshme për popullin janë shpesh të zymta dhe të forta.

Por përderisa ai punon që të sigurojë përkrahje ndërkombëtare, ndërsa ushtarët luftojnë me tanke, artileri e mijëra tonë armatime të dhuruara nga Perëndimi, ukrainasit larg vijave të frontit po i përdorin shakatë dhe humorin si armë kundër ankthit dhe zymtësisë, kundër Rusisë dhe për t’u ndier si një trup, duke qeshur e duke qarë së bashku në vuajtje e zemërim.

Nofka e Lipkos në ushtri është “humoristi”. “Unë jam humorist që përkohësisht është bërë ushtar. Kam plane dhe projekte kreative për pasluftën. Ka gjëra për të cilat jetohet”, tha ai.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Tjera nga autori:
1