<b></b> Macron i kërkon Turqisë ta respektojë 'zgjedhjen sovrane' të Finlandës dhe Suedisë

Macron i kërkon Turqisë ta respektojë 'zgjedhjen sovrane' të Finlandës dhe Suedisë

29.05.2022 14:10

Duhet gjetur një “zgjidhje e shpejtë” për të hequr veton e Turqisë për anëtarësimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë, i ka thënë presidenti Emmanuel Macron presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Erdogan ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin e tij ndaj bashkimit të Finlandës dhe Suedisë në aleancën Atlantike. Ai ka akuzuar të dy vendet se janë një "strehë për terroristët e PKK", Partia e Punëtorëve të Kurdistanit.

Pas një telefonate me kryeministren suedeze Magdalena Anderson më 21 maj, Erdogan tha se “pret që Suedia të marrë masa konkrete dhe serioze, duke treguar se ndan shqetësimet e Turqisë për organizatën terroriste PKK”.

Macron gjatë bisedës me presidentin turk "theksoi rëndësinë e respektimit të zgjedhjes sovrane të këtyre dy vendeve, në përgjigje të ndryshimeve të mjedisit të tyre të sigurisë", ka thënë Zyra e Presidencës. Presidenti francez bëri thirrje që diskutimet të vazhdojnë në mënyrë që të mund të gjendet një "zgjidhje e shpejtë" për të hequr veton e Turqisë për anëtarësimin në NATO.

Krerët e shtetit francez dhe turq ranë dakord të rrisin përpjekjet "në frymën e koordinimit për të arritur një armëpushim dhe kthimin e respektimit të ligjit ndërkombëtar humanitar" dhe "të bëjnë të mundur eksportet e grurit ukrainas nga të cilat varen shumë vende për sigurinë e tyre ushqimore", ka thënë Zyra e Presidencës.

I pyetur nga Euractiv France, Zyra e Presidencës ka thënë se Macron nuk kishte përmendur përkeqësimin e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Turqisë.

Tjera nga autori:
1