<b></b> Macroni, Scholzi e Draghi nisen me tren natën për në Kiev

Macroni, Scholzi e Draghi nisen me tren natën për në Kiev

16.06.2022 08:07

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministri italian, Mario Draghi, janë nisur natën me tren për në Kiev për ta shfaqur përkrahjen e tyre për Ukrainën, raportoi gazeta italiane, “La Repubblica”.

Janë nevojitur disa javë që të organizohet vizita e udhëheqësve evropianë, të cilët po mundohen që t’i zmbrapsin kritikat në Ukrainë për reagimin e tyre ndaj luftës.

Ukraina i ka akuzuar Francën, Gjermaninë dhe Italinë për zvarritje të përkrahjes dhe për ngadalësi në dhurimin e armëve, duke e vënë ekonominë e tyre para sigurisë së Ukrainës.

Vizita e pritur, për të cilën nuk është dhënë njoftim zyrtar paraprakisht për arsye sigurie, po bëhet një ditë para se Komisioni Evropian të bëjë një rekomandim për statusin e Ukrainës si kandidate për anëtarësim në BE.

Duke folur të mërkurën gjatë një vizite në Rumani, presidenti francez tha se është koha që Evropa ta risigurojë Ukrainën për ambiciet e saj për BE-në.

“Jemi në një pikë kur duhet të dërgojmë sinjale të qarta politike, si evropianë, drejt Ukrainës dhe popullit të saj, kur ajo po reziston në mënyrë heroike”, tha ai.

Tjera nga autori:
1