<b></b> Macroni do konsensus për t’ia dhënë statusin e vendit kandidat Moldavisë

Macroni do konsensus për t’ia dhënë statusin e vendit kandidat Moldavisë

16.06.2022 09:06

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të mërkurën se synimi i Moldavisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është “legjitim në mënyrë të përsosur”, kur foli në një konferencë të përbashkët për gazetarë në Çisinau me presidenten moldave, Maia Sandu.

Macroni tha se Franca, që e udhëheq Bashkimin Evropian deri në fund të këtij muaji, do të ndihmojë për arritjen e një konsensusi në mesin e vendeve të BE-së për aplikimin e Moldavisë për anëtarësim në BE në një takim të rëndësishëm të Këshillit Evropian, që mbahet javën e ardhshme.

Ai e përshkroi luftën në Ukrainë si “kërcënim për stabilitetin e tërë rajonit” dhe tha se Moldavia “tashmë është vend i ankoruar brenda familjes evropiane”, raporton agjencia “Reuters”.

Presidenti francez tha se dëshiron që të arrijë konsensus për t’ua dhënë statusin e vendit kandidat Moldavisë, Ukrainës dhe Rumanisë, duke shtuar se aplikimi i Moldavisë nuk duhet të ndahet nga ai i Ukrainës.

Në anën tjetër, presidentja moldave tha se vendi i saj dëshiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian sa më shpejt që është e mundshme. “Megjithatë, ne jemi realistë dhe kuptojmë se ende kemi shumë për të bërë”, shtoi ajo.

Presidentja gjithashtu tha se lufta në Ukrainë e ka ndërlikuar procesin e integrimit në BE, por se reformat po e afrojnë Moldavinë te standardet e BE-së./Nacionale

Tjera nga autori:
1