<b></b> Mbi 100 raste me li të majmunit në Evropë, OBSh-ja thërret mbledhje urgjente

Mbi 100 raste me li të majmunit në Evropë, OBSh-ja thërret mbledhje urgjente

21.05.2022 08:32

Organizata Botërore e Shëndetësisë mbajti mbledhje urgjente të premten për të diskutuar për përhapjen e lisë së majmunit, infeksion virusal që është më i zakonshëm për pjesët perëndimore dhe qendrore të Afrikës, pasi mbi 100 raste të konfirmuara ose të dyshimta u shënuan vetëm në Evropë.

Reuters

Në atë që Gjermania e përshkroi si përhapjen më të madhe në Evropë ndonjëherë, raste me li të majmunit janë raportuar në të paktën nëntë shtete: Belgjikë, Francë, Gjermani, Itali, Holandë, Portugali, Spanjë, Suedi dhe Mbretëri të Bashkuar. Raste janë raportuar edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi.

Spanja raportoi 24 raste të reja të premten, kryesisht në rajonin e Madridit, ku qeveria rajonale mbylli një saunë të lidhur me shumicën e infeksioneve, raporton agjencia “Reuters”.

Një spital në Izrael po trajton një burrë në të tridhjetat, i cili ka shfaqur simptoma të ngjashme me ato të lisë së majmunit, pasi arriti në vend rishtazi nga Evropa Perëndimore.

E identifikuar së pari në majmunë, sëmundja zakonisht përhapet përmes kontaktit të ngushtë dhe rrallë është përhapur jashtë Afrikë, prandaj këto raste kanë shkaktuar shqetësim.

Megjithatë, shkencëtarët nuk presin që lia e majmunit të bëhet pandemi si Covid-19, duke e marrë parasysh faktin se virusi nuk përhapet aq lehtë sa SARS-Cov-2.

Lia e majmunit është sëmundje virusale me simptoma jo të rënda, që dallohet me ethe, temperaturë dhe puçrra të ngritura në lëkurë.

“Kjo është përhapja më e madhe dhe më e gjerë e lisë së majmunit që është parë ndonjëherë në Evropë”, tha shërbimi mjekësor i Forcave të Armatosura të Gjermanisë, që e zbuloi rastin e parë në vend të premten.

Fabian Leendertz nga Instituti “Robert Koch” i Gjermanisë e cilësoi epidemi këtë përhapje të raste. “Megjithatë, ka shumë pak gjasa që kjo epidemi të zgjasë shumë. Rastet mund të izolohen mirë përmes përcjelljes së kontakteve dhe ka ilaçe e vaksina efektive që mund të përdoren, nëse është e nevojshme”, tha ai.

Sidoqoftë, drejtori i OBSh-së për Evropë tha se është i shqetësuar që infeksionet mund të shtohen në rajon, kur njerëzit grumbullohen në ndeja dhe festivale gjatë muajve të verës.

Nuk ka vaksinë të veçantë për linë e majmunit, por të dhënat tregojnë se vaksina, që është përdorur për luftimin e lisë së rëndomtë, është deri në 85 për qind efektive edhe kundër lisë së majmunit, sipas OBSh-së./Përktheu: Nacionale

Tjera nga autori:
1