<b></b> Mbretëria e Bashkuar nënshkruan marrëveshje të ndërsjella sigurie me Finlandën dhe Suedinë

Mbretëria e Bashkuar nënshkruan marrëveshje të ndërsjella sigurie me Finlandën dhe Suedinë

11.05.2022 21:15

Mbretëria e Bashkuar ka nënshkruar pakte të ndërsjella sigurie me Suedinë dhe Finlandën, duke rënë dakord t'u vijë në ndihmë nëse ndonjëri nga kombet do të sulmohej.

Mes debatit për anëtarësimin e trye në NATO, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson vizitoi të dy vendet për të nënshkruar marrëveshjet.

Sipas BBC-së, në marrëveshje po ashtu thuhet se në rast të ndonjë krize edhe Finlanda dhe Suedia do të ndihmojnë Britaninë e Madhe.

Johnson dhe kryeministrja suedeze Magdalena Andersson thanë se bashkëpunimi ishte "edhe më i rëndësishëm" duke pasur parasysh pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Ndërsa, marrëveshja e dytë u njoftua në një konferencë të përbashkët për shtyp të Johnson me presidentin finlandez Sauli Niinistö.

Johnson tha se "deklarata solemne" midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Finlandës pasqyronte "vështirësinë ekstreme të kohës në të cilën ndodhemi".

Niinistö tha se marrëveshja për të thelluar sigurinë e Finlandës nuk ishte një "lojë me shumën zero" kundër një kombi të caktuar, por më tepër një lëvizje për të mbrojtur veten më mirë.

Duke folur më herët në Suedi, Johnson tha se, "nëse Suedia do të sulmohej dhe do të kërkonte ndihmë dhe mbështetje nga ne, atëherë ne do ta siguronim atë."

Johnson shtoi se deklarata që u nënshkrua disa ditë pas shënimit të Ditës së Fitores në Evropë ishte një "ironi e trishtuar", por ishte thelbësore në "rrethanat e zymta" të pushtimit rus të Ukrainës.

I pyetur nga BBC për të përcaktuar saktësisht se çfarë do të bënte Mbretëria e Bashkuar nëse Rusia do të sulmonte Suedinë, Johnson tha se marrëveshja do të thoshte se "me kërkesë të palës tjetër, ne do t'i vinim në ndihmë".

Andersson argumentoi se vendi i saj do të ishte më i sigurt si rezultat i marrëveshjes së ndihmës reciproke me Mbretërinë e Bashkuar. Ajo shpjegoi gjithashtu se vendi po "eksploronte të gjitha opsionet e mundshme dhe NATO është një opsion që është në tryezë".

Kryeministrja tha se qeveria e saj kishte kërkuar pikëpamjet e vendeve të tjera rreth asaj se çfarë mbështetje mund të priste në periudhën ndërmjet paraqitjes së një kërkese për t'u bashkuar me NATO-n deri në zyrtarizimin e saj.

Ajo shtoi se vendi tashmë ka marrë "sigurime" nga disa vende të tjera, duke përmendur një konferencë të fundit për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe vizitën e ministrit të jashtëm suedez në ShBA javën e kaluar.

Garancitë e ndërsjella të sigurisë që Boris Johnson po i ofron Suedisë dhe Finlandës tregojnë se si po ndryshon forma e mbrojtjes evropiane - të dyja vendet po shqyrtojnë aplikimin për t'u anëtarësuar në NATO dhe Britania po u ofron atyre mbështetje ushtarake.

Kjo nuk është një lloj garancie sigurie ligjore dhe automatike si ajo që anëtarët e NATO-s i japin njëri-tjetrit. Në vend të kësaj, është një deklaratë politike që Britania e Madhe do t'u vijë në ndihmë forcave të armatosura të të dy vendeve nëse ato sulmohen.

Kryeministri këmbëngul se ky është një angazhim afatgjatë, jo afatshkurtër. Por mbështetja e Britanisë mund të jetë vendimtare në muajt e ardhshëm nëse Suedia dhe Finlanda aplikojnë për t'u bashkuar me NATO-n.

Kjo për shkak se mund të ketë një periudhë të ndërlikuar ndërmjet aplikimit dhe pranimit, që mund të zgjasë disa muaj, kur asnjë vend nuk gëzon ende garancinë e plotë të sigurisë që mund të ofrojë aleanca perëndimore.

Në një intervistë me BBC, Johnson e përshkroi marrëveshjen me Suedinë si diçka që "duhet të jetë e nënkuptuar" në marrëdhëniet e vendeve.

I pyetur nëse mendon se Suedia duhet të bashkohet me NATO-n, Johnson tha se "nuk i takon Mbretërisë së Bashkuar të ndërhyjë" në debatin e tyre të brendshëm nëse do të aplikojë për t'u bërë anëtare e aleancës.

Por ai shtoi se: "Ne do të mbështesim fuqimisht pranimin e Suedisë, nëse kjo është ajo që suedezët zgjedhin të bëjnë. Ne sigurisht që do të përpiqeshim t'i bënim gjërat të ecin pa probleme dhe sa më lehtë të jetë e mundur."

NATO - Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut - është një aleancë mbrojtëse prej 30 vendesh e themeluar menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ajo ka selinë e saj në Bruksel, por dominohet nga fuqia masive ushtarake dhe raketore bërthamore e ShBA-së.

Mbështetja për anëtarësimin në NATO është rritur si në Suedi ashtu edhe në Finlandë që kur Rusia pushtoi Ukrainën, pavarësisht historisë së tyre të gjatë të ndjekjes së politikave të neutralitetit ushtarak për të shmangur konfliktin me fuqitë rajonale.

Finlanda dhe Suedia janë të dyja vende moderne, demokratike që përmbushin kriteret për anëtarësim.

Shefi i NATO-s, sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca do t'i mirëpresë ato me krahë hapur dhe do të ketë një vonesë minimale në procesin e anëtarësimit të tyre.

Ndërkohë, Rusia ka paralajmëruar më parë të dy vendet që të mos anëtarësohen në NATO dhe i kërcënoi me "një përgjigje teknike ushtarake" nëse përpiqen të bëhen anëtare.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, theksoi se Moska do të duhet të "ribalancojë situatën" me masat e veta nëse një bashkim i tillë ndodhë.

Tjera nga autori:
1