<b></b> Mbretëria e Bashkuar sanksionon aleatë të Putinit dhe kërkon lirimin e Alexei Navalny

Mbretëria e Bashkuar sanksionon aleatë të Putinit dhe kërkon lirimin e Alexei Navalny

16.06.2022 21:06

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss është shprehur se “është shumë e shqetësuar”, për vendndodhjen e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny, dhe i ka kërkuar Rusisë lirimin e tij.

Sipar raportimeve, Navalny, 46 vjeç, një kundërshtar i hapur i Vladimir Putinit, në fillim të kësaj javë është transferuar në burgun e sigurisë maksimale IK-6 në fshatin Melekhovo të rajonit Vladimir, rreth 155 milje në lindje të Moskës.

Ky burg është i njohur për rreptësi ndaj të burgosurve, ku përfshihet qëndrimin në dhoma izolimi për orë të tëra dhe ka një reputacion famëkeq brenda sistemit penal rus, me akuza për tortura dhe përdhunime të të burgosurve.

Në komentet  e dhëna të enjten, Truss tha: "Ne mbështesim me gjithë zemër Navalnyn dhe jemi shumë, shumë të shqetësuar për raportet që kemi dëgjuar dhe i bëjmë thirrje Rusisë që ta lirojë atë sa më shpejt të jetë e mundur".

Navalny shkroi në aplikacionin e mesazheve Telegram se ai ishte i mbyllur në një "regjim të rreptë" dhe në karantinë, por nuk dha më shumë detaje, duke shtuar se udhëtimi i tij në hapësirë po vazhdon.

Udhëheqësi i opozitës ka qenë prej kohësh objektiv i Kremlinit ndaj disidentëve dhe kritikëve të presidentit rus gjatë muajve të fundit.

Navalny u arrestua në janar 2021 pas kthimit nga Gjermania, ku ishte duke u rikuperuar nga helmimi me agjent nervor për të cilin fajëson autoritetet ruse.

Në muajin mars, Navalny u dënua me nëntë vjet burg me akuza për mashtrim dhe përbuzje të gjykatës, akuza që ai i hodhi poshtë, duke i cilësuar si një përpjekje e motivuar politikisht nga autoritetet ruse për ta mbajtur atë pas hekurave për aq kohë sa të jetë e mundur.

Përveç thirrjes për lirimin e Navalny, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, gjithashtu ka miratuar sanksione të tjera ndaj aleatëve të Putinit dhe atyre që i kanë sjellë "vuajtje” Ukrainës.

Masat përfshijnë sanksionimin e Komisioneres Ruse për të Drejtat e Fëmijëve Maria Lvova-Belova për përfshirjen e saj të supozuar në transferimin dhe birësimin e detyruar të fëmijëve ukrainas.

Lvova-Belova është akuzuar se ka mundësuar marrjen e dhunshme të 2,000 fëmijëve të cenueshëm nga rajonet e Luhansk dhe Donetsk dhe orkestrimin e një politike të re për të lehtësuar birësimet e tyre në Rusi.

Sanksionet e reja të MB-së, goditën gjithashtu Patriarkun Kirill, kreun e Kishës Ortodokse Ruse, Sergey Savostyanov, deputetin e Dumës së qytetit të Moskës, dhe katër kolonelë ushtarakë nga Brigada e 64-të e Veçantë e Pushkave me Motorr, një njësi që dihet se ka vrarë , përdhunuar dhe torturuar civilë në Bucha.

Tjera nga autori:
1