Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është “thellësisht e shqetësuar” me dënimin e qytetarëve britanikë nga një gjykatë pro-ruse, tha të enjten për CNN zëvendës-zëdhënësi i kryeministrit britanik.
Sipas medias shtetërore ruse RIA Novosti, një gjykatë në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut dënoi të enjten me vdekje tre burra - shtetasit britanikë Aiden Aslin dhe Shaun Pinner si dhe shtetasin maroken Brahim Saadoune, të cilët i ka akuzuar si “mercenarë” për Ukrainën.
“Ne kemi thënë vazhdimisht se të burgosurit e luftës nuk duhet të shfrytëzohen për qëllime politike. Sipas Konventës së Gjenevës, të burgosurit e luftës kanë të drejtën e imunitetit luftarak dhe ata nuk duhet të ndiqen penalisht për pjesëmarrje në armiqësi," tha zëdhënësi britanik.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me autoritetet ukrainase për të siguruar lirimin e çdo shtetasi britanik që shërbente në Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe që po mbahen si robër lufte”, shtoi zëdhënësit.
Ndërsa, Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss tha se ajo "dënon plotësisht" dënimin e Aslin dhe Pinner, duke i quajtur ata "të burgosur të luftës".
“Ky është një gjykim i rremë dhe pa asnjë legjitimitet. Mendimet e mia janë me familjet. Ne vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për t'i mbështetur ata."