Mbrojtësit e fabrikës së çelikut sinjalizojnë fundin e betejës së përgjakshme për Mariupolin - NACIONALE

Mbrojtësit e fabrikës së çelikut sinjalizojnë fundin e betejës së përgjakshme për Mariupolin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Njësia ukrainase e strehuar nën fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol ka deklaruar të hënën se garnizoni i saj po përmbushte urdhrat për të shpëtuar jetën e trupave ushtarake, një shenjë e dukshme kjo se beteja më e gjatë dhe më e përgjakshme e Ukrainës kishte marrë fund.

Reuters u bë dëshmitare e dhjetëra autobusëve duke u larguar nga fabrika të hënën, që me sa duket transportonin luftëtarë ukrainas. Deri më tani është vlerësuar se brenda fabrikës së madhe të epokës sovjetike ndodheshin rreth 600 luftëtarë, ndërsa nuk ishte e mundur të përcaktohej se sa persona ndodheshin nëpër autobusë.

"Në mënyrë që të shpëtohen jetë, i gjithë garnizoni i Mariupolit po zbaton vendimin e miratuar të Komandës së Lartë Ushtarake dhe shpreson në mbështetjen e popullit ukrainas," tha Regjimenti Azov në një postim në mediat sociale.

Ai tha se mbrojtësit e Mariupolit, në juglindje, kishin bërë qëndresë për 82 ditë, duke blerë kohë për pjesën tjetër të Ukrainës për të luftuar forcat ruse dhe për të siguruar armët perëndimore të nevojshme për t'i bërë ballë sulmit të Rusisë.

Fabrika e çelikut ishte bastioni i fundit i mbajtur nga ukrainasit në portin dikur të begatë e pas disa mujash rrethimi rus që thuhet se vrau dhjetëra mijëra njerëz, tani një vend me gërmadha.

Që nga shkurti, shkatërrimi i Mariupolit është bërë si simbol i aftësisë së Ukrainës për t'i bërë ballë pushtimit rus, ashtu është bërë simbol edhe i gatishmërisë së Rusisë për të shkatërruar qytetet ukrainase që rezistojnë.

Në një video që shoqëronte deklaratën e Regjimentit Azov, një nga komandantët e lartë të njësisë, Denys Prokopenko, u shpeh se: "Gjëja kryesore është të realizohen të gjitha rreziqet, a ka një plan B, a jeni plotësisht të përkushtuar ndaj atij plani që duhet të lejojë përmbushjen e detyrave të caktuara dhe për ruajtjen e jetës dhe shëndetin e personelit?"

"Ky është niveli më i lartë i mbikëqyrjes së trupave. Aq më tepër kur vendimi juaj miratohet nga komanda më e lartë ushtarake."

Prokopenko nuk shpjegoi se çfarë veprimi po bënin mbrojtësit, ndërsa videoja u publikua disa orë pasi Rusia tha se kishte rënë dakord të evakuonte ushtarët e plagosur ukrainas në një institucion mjekësor në qytetin e kontrolluar nga Rusia, Novoazovsk.

Përveç fabrikës së çelikut, Mariupoli është tërësisht në duart e rusëve pas një rrethimi që i la banorët të grumbulluar në bodrume pa ushqim dhe ujë, si dhe rrugët e mbushura me trupa të vdekur.

Edhe pse Moska mohon që ka shënjestruar civilët, Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq vlerësojnë se deri më tani janë humbur mijëra jetë civilësh.

Mbrojtësit e fundit, duke përfshirë shumë të plagosur, kishin qëndruar për javë të tëra në bunkerë dhe tunele të ndërtuara për t'i bërë ballë luftës bërthamore, thellë nën Azovstal, një nga impiantet më të mëdha metalurgjike në Evropë. Ndërsa civilët që ndodheshin në fabrikë u evakuuan nga aty në fillim të këtij muaji.

Ministria e Mbrojtjes ruse më herët gjatë ditës deklaroi se, “është arritur një marrëveshje për evakuimin e të plagosurve nga fabrika, “ duke shtuar se është hapur një korridor humanitar përmes së cilit ushtarakët e plagosur ukrainas do të dërgohen në një insitucion mjekësor në Novoazovsk.”

Ndërsa, zëvendësministrja e Mbrojtjes së Ukrainës, Hanna Malyar, tha për televizionin ukrainas se: "Çdo informacion mund të dëmtojë proceset që po ndodhin... dhe përderisa procesi është duke u zhvilluar, ne nuk mund të themi se çfarë po ndodh tani."

Më parë, Natalia Zaritskaya, gruaja e një anëtari të Batalionit Azov kishte përshkruar kushtet në fabrikë duke thënë se: "Ata janë në ferr. Ata marrin plagë të reja çdo ditë. Ata janë pa këmbë ose pa krahë, të rraskapitur dhe pa ilaçe."

Lajme të ngjashme