<b></b> Ministrat austriakë japin dorëheqje shkaku i lidhjeve me ish-kancelarin Kurz

Ministrat austriakë japin dorëheqje shkaku i lidhjeve me ish-kancelarin Kurz

10.05.2022 10:11

Ministrja e Bujqësisë, Elisabeth Köstinger dhe Ministrja e Ekonomisë Margarete Schramböck, të dyja aleate të ngushta të ish-kancelarit të turpëruar Sebastian Kurz, kanë dhënë dorëheqje.

"Ka qenë një nder të punoj për Austrinë dhe unë ju falënderoj për besimin që ma keni dhënë," ka thënë Schramböck ndërsa ka bërë publike dorëheqjen e saj në një video mesazh të hënën (9 maj), shkruan Euractiv.

Dorëheqja e saj erdhi si një befasi për analistët politikë. Sipas transmetuesit publik orf, Köstinger do të kalojë në një kompani private këtë verë.

Për kancelarin konservator tashmë të trazuar, Karl Nehammer (ÖVP), i cili erdhi në pushtet pas Kurz-it, vala e dytë e dorëheqjeve ka shkaktuar kritika të ashpra nga partitë opozitare. Dorëheqja e parë kishte ardhur menjëherë pas dorëheqjes së Kurz, kurë Gernot Blümel, atëherë ministër i financave, u largua nga qeveria.

“Në krizën më të madhe sociale dhe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore, Austrisë i duhet një qeveri e vendosur dhe e aftë për veprim”, ka thënë Christoph Matznetter, zëdhënës i ekonomisë për socialdemokratët SPÖ. “Ajo që ne po përjetojmë aktualisht është saktësisht e kundërta,” shtoi ai.

Shoqatat e industrisë, nga ana e tyre, i dhanë lamtumirën e trishtuar ministres. Sipas shoqatës konservatore të ekonomisë ÖWB, ministrja kishte qenë "një zëdhënëse e fortë për bizneset tona lokale".

Schramböck u soll në qeveri nga sektori privat nga Kurz, mirëpo imazhi i saj ishte dëmtuar nga disa gafa si koncepti i saj i shtrenjtë dhe kryesisht i pasuksesshëm "Austria Mall", i cili parashihej të sfidonte kompanitë si Amazon duke grumbulluar shitësit me pakicë.

Tjera nga autori:
1