<b></b> Ministrat e Bujqësisë së BE-së dakordohen për strategjinë e vaksinimit kundër gripit të shpendëve

Ministrat e Bujqësisë së BE-së dakordohen për strategjinë e vaksinimit kundër gripit të shpendëve

26.05.2022 10:07

Ministrat e Bujqësisë së BE-së kanë rënë dakord të zbatojnë një strategji të vaksinës së gripit të shpendëve, ndërsa blloku po lufton me shpërthimin më të madh të virusit në historinë e tij.

Për të frenuar virusin, i cili prek kryesisht pulat dhe shpendët e egër, shpendët deri më tani ose janë vrarë ose janë mbajtur brenda fermave.

Përhapja aktualisht po prek 36 vende evropiane, ku Franca ka asgjësuar 16 milionë pula që nga dhjetori, kurse Italia 18 milionë që nga janari.

Këto masa, megjithëse thelbësore, janë jashtëzakonisht të kushtueshme për industrinë dhe autoritetet publike, thanë ministrat e BE. Asgjësimi masiv është gjithashtu "gjithnjë e më pak i pranuar nga publiku i gjerë", shtoi ministri spanjoll i Bujqësisë, Luis Planas.

Për shkak të përhapjes së tij të shpejtë, gripi i shpendëve tani paraqet rrezik edhe për shëndetin publik, pasi "të gjithë viruset e influencës së shpendëve janë potencialisht zoonotikë për njerëzit", thuhet në përfundimet e Këshillit. Disa raste janë zbuluar te njerëzit, megjithëse duhet theksuar se këto raste janë të rralla.

Për këto arsye dhe për shkak të natyrës ndërkufitare të këtij virusi shumë ngjitës, presidenca franceze e Këshillit të BE-së, së bashku me ministrat e BE-së, ranë dakord të zhvillojnë vaksinimin si një mjet parandalues ​​plotësues.

"Jam i kënaqur me unanimitet të arritur në idenë e plotësimit të arsenalit tonë për të luftuar këtë epizootikë, duke marrë në konsideratë përdorimin e vaksinimit përveç masave të nevojshme të biosigurisë që ne tashmë i dimë," shpjegoi ministri i sapoemëruar francez i bujqësisë dhe ushqimit, Marc Fesneau, raporton Euractiv.

Ministrat e BE-së bënë thirrje gjithashtu për kujdes kur bëhet fjalë për kufizimet në tregtinë e shpendëve. Vende si MB, SHBA dhe Arabia Saudite, për shembull, aktualisht po refuzojnë të blejnë nga vendet që praktikojnë vaksinimin nga frika e përhapjes së virusit në vendet e tyre.

"Masat duhet të jenë në përputhje me tregtinë ndërkombëtare," tha Planas, duke shtuar se ai beson se ndarja e shpendëve të vaksinuara nga ato të infektuara do t'i shtynte vendet e treta të pranojnë përsëri importimin e shpendëve.

Konkluzionet e Këshillit i bënë jehonë deklaratës së Planas: "Në këtë kontekst, veprimi kolektiv i Bashkimit Evropian në nivel ndërkombëtar është thelbësor, si në planin dypalësh me partnerët kryesorë tregtarë ashtu edhe në shumëpalëshe".

Sipas ministrit gjerman të Bujqësisë Cem Özdemir, një qasje kolektive duhet të përdoret gjithashtu për të marrë parasysh "dispozitat teknike" për "efektshmërinë reale të këtij vaksinimi".

Vaksinimi mund të jetë një detyrë komplekse, duke marrë parasysh variantet e shumta të gripit të shpendëve dhe llojet e shumta të shpendëve të prekura. Në çdo rast, Këshilli ra dakord të përqendrojë strategjinë e tij në një trajtim që është "efektiv dhe i sigurt, i lehtë për t'u administruar dhe i pajtueshëm me praktikat bujqësore në BE".

Tjera nga autori:
1