<b></b> Ministri suedez i Mbrojtjes: Anëtarësimi në NATO do të forconte mbrojtjen nordike

Ministri suedez i Mbrojtjes: Anëtarësimi në NATO do të forconte mbrojtjen nordike

11.05.2022 11:10

Aftësia mbrojtëse e vendeve nordike do të forcohej nëse Suedia dhe Finlanda do të zgjidhnin të anëtarësoheshin në NATO dhe nëse të dy vendet do të kishin një planifikim të përbashkët të mbrojtjes brenda kornizës së NATO-s, ka thënë ministri sudez i Mbrojtjes, Peter Hultqvist, për Radio Ekot të martën.

“Sigurisht, kjo jep një thellësi strategjike krejtësisht të ndryshme, jep gjithashtu një sinjal shumë të fortë të politikës së sigurisë dhe gjithashtu jep një platformë të fortë për bashkëpunimin e mbrojtjes nordike brenda kornizës së NATO-s”, tha Hultqvist për Radio Ekot në një intervistë, shkruan Euractiv.

“Ne i shfrytëzojmë plotësisht pikat e forta dhe avantazhet e njëri-tjetrit, e plotësojmë njëri-tjetrin dhe kryejmë gjithashtu planifikime operacionale dhe më pas efekti është që të bëhemi më të fortë së bashku. Kjo është diçka që mund të ndodhë nëse zgjedhim të anëtarësohemi në NATO”, thotë Hultqvist.

Gjatë kohës së tij si ministër i Mbrojtjes, Hultqvist ka bërë disa marrëveshje bashkëpunimi me vende të tjera në fushën e mrojtjes, duke përfshirë Norvegjinë, Danimarkën dhe Finlandën, për planifikimin e koordinuar ose të përbashkët të mënyrës sesi kombet do të veprojnë së bashku në një krizë apo luftë.

Ministrat nordikë të mbrojtjes do të takohen këtë javë, ku do të diskutohet se si anëtarësimi suedez dhe finlandez në NATO mund të ndikojë në bashkëpunim.

Sipas Hultqvist, anëtarësimi në NATO me planifikimin e përbashkët të mbrojtjes dhe mbikëqyrjen e Detit Baltik do të zvogëlonte rrezikun që diçka të ndodhte rreth rajonit Baltik dhe Gotland.

"Kjo është një pikë qendrore në Detin Baltik që nuk duhet të bjerë në duart e askujt tjetër," tha ai, duke iu referuar ishullit suedez në brigjet jugore të vendit.

Hultqvist më parë ishte kundër aplikimit të Suedisë për anëtarësim në NATO. Ai nuk ka folur për qëndrimin e tij për këtë çështje tani, por theksoi se lufta e agresionit të Rusisë kishte ndryshuar shumë gjërat.

"Ka një para dhe një pas 24 shkurtit," tha ai, duke iu referuar fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit.

“Natyrisht që unë jam pjesë e këtij procesi dhe si ministër i mbrojtjes, më duhet të marr përgjegjësinë për situatën dhe jam pjesë e këtij procesi të analizës së politikave të sigurisë, jam pjesë e procesit dhe do të raportoj konkluzionet e mia kur të jemi gati”, shtoi ai.

Partia Social Demokrate pritet ta bëjë të ditur qëndrimin e saj të ri mbi NATO-n të dielën (15 maj), gjë që mund të çojë deri tek aplikimi për bashkim në NATO, pasi shumica dërrmuese e Riksdagut suedez do të jetë më pas në favor të bashkimit me Aleancën.

 

Tjera nga autori:
1