<b></b> Ministri turk: Lufta në Ukrainë mund të ishte parandaluar po të ishte Turqia anëtare e BE-së

Ministri turk: Lufta në Ukrainë mund të ishte parandaluar po të ishte Turqia anëtare e BE-së

10.05.2022 09:35

Lufta e Rusisë në Ukrainë mund të ishte parandaluar nëse Turqia do të ishte bërë anëtare e BE-së, ka thënë në një intervistë zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Turqisë dhe Drejtori për Çështjet e BE-së, Faruk Kaymakci.

“Anëtarësimi i Turqisë në BE mund ta kishte parandaluar këtë luftë pasi do të kishte krijuar një parandalim më të fortë NATO-BE”, tha ai për portalin e lajmeve iEidiseis, shkruan Euractiv.

“Ndërsa flasim për anëtarësimin në BE dhe duke marrë një mësim nga lufta ruse, unë gjithmonë them se nëse Turqia do të kishte qenë anëtare e BE-së vite më parë, do të kishte çuar në një parandalim më të fortë të Perëndimit, meqë do të kishim një bashkëpunim më të mirë mes BE-së dhe NATO-s”, tha ai.

Ai shtoi se bashkëpunimi NATO-BE aktualisht është i penguar për shkak të çështjes së Qipros, pasi Turqia nuk lejohet të bashkohet me disa nga mekanizmat e sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së, edhe pse ishte premtuar në vitin 2004.

“Kjo ka çuar, mendoj, në një lloj dobësie të Perëndimit. Kemi disharmoni brenda BE-së, kemi disharmoni brenda NATO-s dhe nuk kemi bashkëpunimin e plotë që duhet të kemi normalisht mes NATO-s dhe BE-së.

“Unë besoj se kjo ka dërguar një sinjal të gabuar për administratën ruse dhe mendoj se kjo është gjithashtu një nga arsyet pse kjo luftë filloi lehtësisht,” përfundoi ai.

BE filloi negociatat e pranimit me Turqinë në 2005, mirëpo ato janë ngrirë. Si një vend kandidat, Turqia supozohet të përafrohet me linjat e politikës së jashtme të BE-së, dhe në rastin e Ukrainës, ajo duhet t'i bashkohej Perëndimit në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Ankaraja nuk e ka bërë këtë, duke pretenduar se dëshiron të jetë një ndërmjetëse neutrale midis Kievit dhe Moskës.

Ndryshe nga Turqia, BE-ja e ka kritikuar Serbinë, një tjetër kandidate të BE-së, se nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë.

“Turqia është anëtare e NATO-s dhe është forca e dytë apo e tretë ushtarake. Për ne, të njëjtat rregulla thjesht nuk vlejnë”, kishte thënë në Greqi javën e kaluar ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin.

Tjera nga autori:
1