<b></b> Ministri ukrainas kërkon ndihmë nga G7 për të eksportuar 40 milionë tonë drithë

Ministri ukrainas kërkon ndihmë nga G7 për të eksportuar 40 milionë tonë drithë

16.05.2022 13:56

Siguria globale e ushqimit dhe ndikimi i pushtimit të Rusisë kanë qenë në krye të axhendës së takimit të ministrave të bujqësisë të G7 të shtunën, ku pjesëmarrës ishte edhe ministri ukrainas, Mykola Solskyj, si i ftuar special.

"Lufta e përkeqëson ndjeshëm situatën e sigurisë ushqimore globale dhe tregon edhe një herë ndikimin që konfliktet kanë në sigurinë globale të ushqimit," ka thënë ministri gjerman i Bujqësisë, Cem Özdemir, i cili ishte nikoqir i takimit.

Ministri i Gjelbër përshëndeti gjithashtu pjesëmarrjen e homologut të tij ukrainas, me të cilin ai tashmë u takua në një takim dypalësh përpara samitit.

“Është e paçmueshme të marrim informacion të dorës së parë nga ju sot për situatën e bujqësisë në vendin tuaj,” i tha Özdemir kolegut të tij.

Një shqetësim i madh që Solskyj ka shfaqur para ministrave të G7-ës, ishte mbështetja logjistike për Ukrainën për të ndihmuar eksportin e grurit, pasi portet e saj janë bllokuar ose shkatërruar nga Rusia.

“Është shumë e rëndësishme për ne që të koordinohemi me shtatë vendet [e G7], pasi ne po kërkojmë mundësi për të mbështetur Ukrainën në situatën e saj aktuale,” u tha ai gazetarëve pas takimit të tij me ministrin gjerman.

Rreth 20 milionë tonë drithë janë aktualisht ende të ruajtura në Ukrainë nga korrja e kaluar dhe janë në pritje për t'u eksportuar, shpjegoi Solskyj, ndërsa fermerët gjithashtu kanë filluar fushatën e mbjelljes pranverore.

"Ne jemi të vetëdijshëm se rendimentet do të jenë shumë më të ulëta këtë vit se në dy vitet e fundit, por unë ende pres që ne të marrim 30 deri në 40 milionë tonë grurë të cilin më pas do të duhet ta eksportojmë", ka shtuar ai.

Të enjten (12 maj), Komisioni Evropian njoftoi se do të prezantonte të ashtuquajturat "korsi solidariteti" për të përmirësuar logjistikën për eksportet e grurit nga Ukraina në vendet e BE-së, duke përfshirë edhe hekurudhat.

Tjera nga autori:
1