Njerëzve në Pakistan u është kërkuar të reduktojnë sasinë e çajit që pinë për të mbajtur në këmbë ekonominë e vendit.
Pakistani është importuesi më i madh në botë i çajit, duke blerë më shumë se 600 milion dollarë çaj vitin e kaluar.
E sipas BBC-së, ministri i lartë i vendit, Ahsan Iqbal është shprehur se pirja e më pak filxhanvë me qaj në ditë do të shkurtonte faturat e larta të importit të Pakistanit.
“I bëj thirrje kombit që të reduktojë konsumin e çajit me një deri në dy filxhanë, sepse ne importojmë çaj me hua”, ka thënë Iqbal.
Ai po ashtu ka sugjeruar që tregtarët të mbyllin bizneset e tyre në orën 20.30 në mënyrë që të kursejnë energji elektrike.
Kërkesa e ministrit erdhi pasi rezervat valutore të vendit janë duke rënë me shpejtësi, duke ushtruar kështu presion mbi qeverinë për të ulur kostot e larta të importit dhe për të mbajtur fondet në vend.
Por, kërkesa për të reduktuar pirjen e çajit është bërë virale në mediat sociale, me shumë që kanë dyshime se problemet financiare të vendit mund të zgjidhen duke hequr dorë nga pirja e çajit.
Kriza ekonomike është një test i madh për qeverinë e re të Shehbaz Sharif, i cili zëvendësoi Imran Khan si kryeministër të Pakistanit në një votim parlamentar në prill.
Javën e kaluar kabineti i tij zbuloi një buxhet të ri prej 47 miliardë dollarësh që synon të bindë Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) të rifillojë një program të ngecur të ndihmës prej 6 miliardë dollarësh.