<b></b> Moska fillon eksportin e grurit të Ukrainës për në Rusi

Moska fillon eksportin e grurit të Ukrainës për në Rusi

30.05.2022 21:24

Një administrator i lartë në rajonin Kherson të Ukrainës, të kontrolluar nga Rusia, ka deklaruar të hënën se ata kishin filluar të eksportonin grurë në Rusi, një veprim ky që do ta zemëroj Kievin dhe të thellojë shqetësime për një krizë të afërt globale ushqimore.

"Ne kemi hapësirë ​​për të ruajtur (kulturat e reja) edhe pse kemi shumë drithë këtu," i tha Kirill Stremousov agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS. "Njerëzit tani po e japin grurin pjesërisht, pasi janë pajtuar me ata që e blejnë nga pala ruse."

Që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, Rusia ka bllokuar të gjitha portet detare të Ukrainës dhe ka ndërprerë eksportet e saj të grurit, gjë që ka ndikuar në çmimet globale të ushqimeve, duke shkaktuar pasiguri ushqimore dhe ka prekur popullsinë e cenueshme.

Përveç bllokimit të rrugëve detare të vendit, Ukraina ka akuzuar gjithashtu Rusinë për vjedhje të grurit të saj, ku imazhet satelitore nga 19 dhe 21 maj zbuluan se dy anije transportuese ruse në Krime ishin të ngarkuara me të korra. Është ende e paqartë nëse anijet mbanin mallra të vjedhura, por vjedhja e të korrave në kohë lufte është një armë e zakonshme.

Gjatë fjalëve të tij në Forumin Ekonomik Botëror të mbajtur në Davos javën e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi për katastrofa të urisë dhe akuzoi Rusinë për bllokimin e Ukrainës nga eksportimi i 22 milionë tonë produkteve ushqimore.

Sipas një raporti nga tetori 2021 nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë, Ukraina prodhoi afërsisht 80 milionë tonë metrikë drithë, duke përfshirë misër gruri dhe elb. Ndërsa, këtë vit pritet të jetë më pak se gjysma e këtij prodhimi. Së bashku me Rusinë, Ukraina përbën afërsisht 30 për qind të eksporteve botërore të grurit.

Nuk dihet ende nëse gruri nga Kherson do të eksportohet jashtë vendit ose nëse Rusia do ta përdorë atë brenda vendit – por, në çdo rast Ukraina nuk do të përfitojë prej tij.

Kherson, në veri të Krimesë, është i vetmi kryeqytet rajonal që trupat ruse kanë kapur që kur Putini urdhëroi pushtimin e Ukrainës.

Tjera nga autori:
1