<b></b> NATO zbarkon 15 mijë trupa ushtarake në Baltik, nis stërvitjen më të madhe në vend që nga viti 1991

NATO zbarkon 15 mijë trupa ushtarake në Baltik, nis stërvitjen më të madhe në vend që nga viti 1991

16.05.2022 21:38

Të quajtura " Hedgehog" (Iriqi), stërvitjet e NATO-s po mbahen në 10 vende, përfshirë Finlandën dhe Suedinë, të cilat pritet të aplikojnë zyrtarisht për t'u bashkuar me aleancën brenda disa ditësh.

BBC njofton se, stërvitjet që kanë nisur në Estoni dhe do të zgjasin deri më 3 qershor, janë organizuar përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia. NATO ka thënë se qëllimi i mbajtjes së tyre është të "rrisë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë" e forcave të saj.

Në stërvitjet që po mbahen në Estoni po marrin pjesë rreth 15,000 trupa, duke u bërë kështu stërvitja më e madhe ushtarake e realizuar në vend që nga viti 1991. Stërvitja është duke u zhvilluar rreth 64 kilometra nga baza më e afërt ushtarake e Rusisë, dhe ka për synim të simulojë një sulm nga Rusia në Estoni.

Suedia konfirmoi të hënën synimin e saj për të aplikuar për anëtarësim në NATO, duke iu bashkuar kështu Finlandës, e cila deklaroi qëndrimin e saj javën e kaluar, dhe Vladimir Putin tha gjatë ditës se Rusia nuk ka asnjë problem me Finlandën apo Suedinë, por një zgjerim ushtarak pranë kufirit të saj do të merrte përgjigjje nga Moska.

Rusia e sheh NATO-n si një kërcënim për sigurinë dhe ka paralajmëruar për "pasoja" për anëtarët e rinj të mundshëm.

Suedia është një vend që qëndroi neutral në Luftën e Dytë Botërore dhe për më shumë se dy shekuj i është shmangur bashkimit me aleancat ushtarake. Ndërkohë, Finlanda ndan një kufi prej 1,300 km me Rusinë dhe deri më tani, ajo ka qëndruar jashtë NATO-s për të shmangur antagonizimin e fqinjit të saj lindor.

Stërvitjet e NATO-s, ishin planifikuar përpara pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, por mes kërcënimit në rritje të sigurisë nga Rusia, ato po vëzhgohen nga afër. Pavarësisht nga emri i koduar, Nato Exercise Hedgehog ("Iriq" në shqip) - po zhvillohet në një kohë të tensioneve të rritura në Baltik, tha korrespondenti i sigurisë i BBC-së Frank Gardner, i cili shtoi se pushtimi rus i Ukrainës i ka bindur qeveritë në rajon se duhet të forcojnë seriozisht mbrojtjen e tyre nëse duan të pengojnë Presidentin Putin nga agresioni i mëtejshëm ushtarak.

Finlanda dhe Suedia kanë konfirmuar se do të aplikojnë për anëtarësim në NATO, respektivisht të enjten dhe të dielën dhe pritet të dorëzojnë ofertat e tyre zyrtare për t'u bashkuar me aleancën të mërkurën dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se mund të ketë një proces shumë të shpejtë për aplikimin e dy vendeve, me marrëveshje të përkohshme sigurie në mënyrë që të mbrohen nga çdo hakmarrje e mundshme ruse.

Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Estonisë Eva-Maria Liimets u shpreh me fjalët: "Ne shohim se sapo fqinjët dhe miqtë tanë të ngushtë do të bashkohen me NATO-n, atëherë sigurisht, mjedisi i përgjithshëm i sigurisë në rajonin tonë do të rritet dhe veçanërisht rreth Detit Baltik."

Ndërsa, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka thënë se Rusia po e vëzhgonte nga afër zgjerimin, duke shtuar se ai ishte i bindur se nuk do të forconte sigurinë e Evropës.

“Kjo është një çështje serioze, një çështje që ngre shqetësimin tonë dhe ne do ta ndjekim me shumë kujdes”, tha ai.

Stërvitje të tjera të NATO-s janë duke u mbajtur në të gjithë Evropën, në vende si Polonia, Maqedonia e Veriut dhe Lituania.

Tjera nga autori:
1