<b></b> Ndryshim historik i politikave: Suedia dhe Finlanda konfirmojnë aplikimet për NATO

Ndryshim historik i politikave: Suedia dhe Finlanda konfirmojnë aplikimet për NATO

15.05.2022 19:14

Suedia dhe Finlanda kanë konfirmuar se do të aplikojnë për anëtarësim në NATO në një ndryshim historik që vjen si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.

Në Suedi, socialdemokratët qeverisës thanë se mbështesin bashkimin me aleancën e sigurisë, duke i hapur rrugën vendit për të aplikuar.

BBC raporton se njoftimi erdhi menjëherë pasi Finlanda njoftoi zyrtarisht se do të aplikonte për t'u bashkuar me aleancën. Rusia e sheh NATO-n si një kërcënim për sigurinë dhe ka paralajmëruar për "pasoja".

Suedia vend që ka qëndruar neutral në Luftën e Dytë Botërore dhe për më shumë se dy shekuj i është shmangur bashkimit me aleancat ushtarake. Ndërsa, Finlanda e cila ndan një kufi prej 1,300 km me Rusinë, deri më tani ka qëndruar jashtë NATO-s për të shmangur antagonizimin e fqinjit të saj lindor.

Në një deklaratë, Social Demokratët e Suedisë thanë se do të "punonin drejt" anëtarësimit, diçka e mbështetur nga publiku dhe shumica e partive opozitare. Mendohet se një aplikim zyrtar mund të bëhet brenda disa ditëve.

Por socialdemokratët shtuan se ishin kundër vendosjes së armëve bërthamore ose bazave të NATO-s në territorin e tyre.

Presidenti i Finlandës Sauli Niinisto konfirmoi më herët se vendi i tij do të aplikonte, duke e quajtur këtë ditë të vendimit si një "ditë historike".

Ai bëri të ditur se ka folur edhe me presidentin rus Vladmir Putin për vendimin, duke thënë se donte t’ia "thoshte drejt".

“Unë, apo Finlanda, nuk dijmë të bredhim fshehurazi dhe të zhdukemi në heshtje në një qoshe,” është shprehur ai.

Presidenti rus i kishte thënë më parë Finlandës se bashkimi me NATO-n do të ishte një "gabim".

Social Demokratët zgjodhën të shpallin vendimin e tyre për të mbështetur anëtarësimin në NATO me një deklaratë, gjysmë ore përpara një konference shtypi të planifikuar. Por vendimi i tyre është monumental, duke i hapur rrugën Suedisë që të largohet nga pozicioni i neutralitetit ushtarak për herë të parë në dy shekuj.

Njoftimi nuk është befasues, pasi ministrat socialdemokratë mbështetën gjetjet e një raporti ndërpartiak të premten, i cili arriti në përfundimin se anëtarësimi do të rriste sigurinë në Evropën veriore dhe nuk do të kishte gjasa të shkaktonte një sulm të armatosur nga Rusia.

Ndërkohë, mbështetja publike për anëtarësimin zyrtar në NATO është rritur në mënyrë të qëndrueshme që kur Rusia pushtoi Ukrainën. Shumica e partive opozitare janë në favor, kur kanë mbetur vetëm disa muaj deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të Suedisë.

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se bashkimi e bën më pak të mundshëm agresionin ushtarak nga Rusia, enda ka disa persona brenda socialdemokratëve - dhe në partitë opozitare të Majtë dhe të Gjelbër - që janë në ankth për t'u bashkuar.

Të tjerët tashmë janë duke vajtuar për humbjen e një identiteti kombëtar si një komb neutral dhe paqësor që është mësuar të qëndrojë jashtë konflikteve të mëdha globale.

Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s, të cilët po takohen në Berlin, janë zotuar të ofrojnë garanci sigurie si për Finlandën ashtu edhe për Suedinë, në kohën kur aplikimet e tyre për t'u bashkuar me NATO-n po ratifikohen nga të gjitha vendet anëtare - një proces që mund të zgjasë deri në një vit.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se nuk mund të ketë një "periudhë tranzicioni, një zonë gri, ku statusi i tyre është i paqartë".

Ndërsa, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thanë se ata ishin të sigurt që mund të kapërceheshin kundërshtimet turke ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë.

Turqia, një vend anëtar i NATO-s, akuzon të dy vendet nordike se i kanë dhënë mbështetje Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një luftë të armatosur kundër qeverisë turke për dekada.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha të dielën se Suedia dhe Finlanda duhet të ndalojnë mbështetjen e terroristëve në vendet e tyre, të ofrojnë garanci të qarta sigurie dhe të heqin ndalesat e eksporteve ndaj Turqisë. Por, ai shtoi se Turqia nuk po kërcënonte askënd.

 Blinken tha se kishte dëgjuar mbështetje të fortë për vendet nordike "pothuajse në të gjithë bordin" dhe se ai kishte zhvilluar bisedime me homologun e tij turk.

"Nëse kjo është [bashkimi me NATO-n] ajo që ata zgjedhin të bëjnë, unë kam shumë besim se ne do të arrijmë konsensus për këtë”, tha ai.

Sipas mediave turke, Niinisto ka thënë se është i gatshëm të zhvillojë bisedime me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.

Si Suedia ashtu edhe Finlanda kanë komunitete kurde dhe në rastin e Suedisë disa deputetë kanë origjinë kurde. Megjithatë,Turqia nuk ka dhënë prova se këto komunitete kanë lidhje me PKK-në.

NATO, një aleancë ushtarake perëndimore, u themelua në vitin 1949 për mbrojtje ndaj kërcënimit nga Bashkimi Sovjetik.

Presidenti Putin ka përmendur synimin e Ukrainës për t'u bashkuar me aleancën si një nga arsyet e pushtimit të fqinjit të saj.

Tjera nga autori:
1