<b></b> Në Kabul, jeta mes varreve është pjesë e përditshmërisë

Në Kabul, jeta mes varreve është pjesë e përditshmërisë

31.05.2022 10:30

Një varr në varrezat “Nader Shah” të Kabulit është hapur pothuajse tërësisht. Në të shihet gati i tërë skeleti i të varrosurit. Fëmijëve, që po luanin afër varrit, kjo gjë nuk u linte përshtypje.

Associated Press

“Ka shumë varre të prishura, nuk është e pazakonshme” tha një djalë, rreth 10 vjeç, duke i ngritur supet, ndërsa fëmijët po i shikonin eshtrat. Arsyeja e vetme pse fëmijët u afruan, duke e ndërprerë lojën e futbollit, ishte që të shihnin se çfarë po fotografonte fotografi i agjencisë “Associated Press”.

Kur u pyetën se a frikësohen nga varri, djaloshi dhe shokët e tij desh u shkrinë së qeshuri.

“Pse të frikësohemi? Skeleti nuk është gjallë. I shohim këta çdo ditë”, tha fëmija. Fjalët e tij nuk ishin më befasuese se akrepi që një fëmijë na e tregoi duke iu zvarritur në mëngë.

Varre ka në mbarë kryeqytetin afgan, shumë prej tyre të mbushura me të vdekur nga lufta e gjatë me dekada. Kufomat janë integruar në mënyrë të zakonshme në jetën e afganëve. Ato ofrojnë vende të hapura ku fëmijët luajnë futboll ose kriket ose luajnë me lodra fluturake, ku të rriturit dalin, pinë duhan, bisedojnë e qeshin, sepse ka pak parqe publike.

Rreth 50 vite luftë e kanë transformuar kryeqytetin me pesë milionë banorë. Shumë varre janë shpërndarë në shpatet e maleve shterpe, që ndodhen në mesin e qytetit. Varret tjera janë afër lagjeve të shtresës më të lartë ose pranë rrugëve.

Gjatë luftës së egër civile të viteve të nëntëdhjeta, kur grupe të shumta, që luftonin për pushtet, e kishin sulmuar Kabulin, duke vrarë mijëra njerëz, njerëzit shpesh i varrosnin familjarët e vdekur pranë shtëpive, sepse kishin frikë që të dilnin larg vendeve ku jetonin. Me kalimin e kohës, këto varre u bënë varreza, duke u kombinuar me lagje e me jetën e përditshme të banorëve. Njerëzit mund të mblidhen në dasmë, ndërsa, jo larg tyre, disa të tjerë mund të jenë duke varrosur një të vdekur.

“Jam lindur këtu dhe gjithmonë shoh varre”, tha Habibi, 14 vjeç, që po luante futboll me shokët mes varreve. Shumë nga njerëzit e varrosur aty vdiqën gjatë luftës kundër pushtimit sovjetik në të tetëdhjetat. Varret e vjetra rrallë mirëmbahen, prandaj shpesh hapen.

Për të varfrit e Kabulit që po shtohen, varret mund të jenë burim i të ardhurave. Zonja Arefe, 27 vjeçe, jeton me katër fëmijët e saj afër varrezave “Sakhi”, që përdoren nga pakica shiite e qytetit. Ajo dhe fëmijët e saj fitojnë pak para duke shitur ujë për kalimtarët dhe duke i pastruar varret.

Fahimi është lindur pranë varreve para 54 vjetëve dhe është rritur aty, duke luajtur pranë varreve të anëtarëve të familjes. Babai dhe gjyshi i tij janë të varrosur aty. Tash, fëmijët e tij luajnë mes varreve.

Ai thotë se brengoset për efektin që kjo ka te fëmijët. “Fëmijët rriten duke parë trupa. Vdekja është bërë normale për ta, por nuk kemi zgjedhje. Duhet ta vazhdojmë këtë jetë”, tha ai.

Përktheu: Nasuf Abdyli, Nacionale

Tjera nga autori:
1