<b></b> Në Sudanin Jugor, vajzat po jepen për martesë në këmbim të lopëve

Në Sudanin Jugor, vajzat po jepen për martesë në këmbim të lopëve

22.06.2022 12:52

Disa vajza ende po ofrohen për martesë në këmbim të lopëve në Sudanin Jugor. Aktivistët kishin shpresuar që ta vendosnin në pah gjatë vizitës së Papa Françeskut, që tashmë është shtyrë.

Çmimi i një vajze, i përcaktuar në bisedimet mes babait të saj dhe dhëndrit të mundshëm, është zakonisht 50 deri në 100 lopë. Sidoqoftë, një vajzë që vlerësohet e bukur, pjesëtare e një shkalle të lartë shoqërore dhe që mund të lindë fëmijë, mund të shkëmbehet me deri 200 lopë. Një vajzë vite më parë u dha për 520 lopë si dhe disa vetura.

“Sa më e re të martohet vajza, aq më shumë gjedhe merr familja”, tha Jackline Nasiwa, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Qeverisje Gjithëpërfshirëse, Paqe dhe Drejtësi në kryeqytetin e Sudanit Jugor, Juba. “I shesin vajzat që të marrin diçka për të mbijetuar”, shtoi ajo.

Ndonëse mosha më e ulët për lejimin e martesës është ajo 18-vjeçare, kjo zbatohet rrallë, sidomos në zonat rurale, shkruan "Associated Press", përcjell Nacionale.

Pavarësia nga Sudani, e shpallur më 2011, kishte sjellë shpresë për mirëqenie e paqe për shtetin me 12 milionë banorë, por pak gjëra kanë ndodhur.

Shteti i ri u përfshi shpejt në luftë civile 5-vjeçare, që përfundoi me një marrëveshje të brishtë të paqes më 2018, ndonëse dhuna e brendshme vdekjeprurëse vazhdon dhe shumica e popullit mbetet në varfëri. Fatkeqësitë natyrore si vërshimet, bashkë me rritjen e çmimeve të ushqimit, të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë, e kanë përhapur edhe më shumë urinë.

Sudani Jugor është i pesti në botë për shkallën më të lartë të martesës së fëmijëve, sipas Kombeve të Bashkuara. Kjo organizatë thotë se martesa e fëmijëve është shkelje e të drejtave të njeriut dhe shkaktare e varfërisë së vazhdueshme. Sipas UNICEF-it, rreth një e treta e vajzave në këtë shtet mbeten shtatzënë para moshës 15-vjeçare.

Sidoqoftë, edhe pse me pak gjasa, disa vajza e kanë refuzuar martesën në moshë të njomë. “Unë refuzova”, tha 21-vjeçarja Nyanachiek Madit, kur babai i tha se ajo duhej të martohej me një burrë rreth 50 vjeç, sepse familja nuk kishte mundësi financiare që ta dërgonte në shkollë. Ajo ishte 17 vjeçe në atë kohë./Nacionale

Tjera nga autori:
1