<b></b> Në Suedi do të ketë edhe dozë të pestë të vaksinës anti-Covid

Në Suedi do të ketë edhe dozë të pestë të vaksinës anti-Covid

25.05.2022 09:39

Të moshuarit dhe grupet e rrezikuara të Suedisë do të marrin dozën e pestë të vaksinës COVID-19, ka njoftuar Ministrja e Çështjeve Sociale, Lena Hallengren, në një konferencë për shtyp në Stockholm.

Nga 1 shtatori, të moshuarve dhe njerëzve në grupet e rrezikut u rekomandohet të marrin dozën e pestë të vaksinës COVID-19, njoftoi Hallengren në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretaren e Përgjithshme të Agjencisë së Shëndetit Publik, Karin Tegmark Wisell të hënën (24 maj).

Për të rriturit e tjerë, do të ofrohet doza e katërt. Sipas Hallengren, vaksina për COVID-19 do të ofrohet në të njëjtën mënyrë si vaksina e gripit këtë vjeshtë – por pa pagesë.

“Pandemia nuk ka mbaruar. Vlen të përsëritet. Ne duhet të përgatitemi mirë dhe të vazhdojmë vaksinimet”, tha ajo.

Agjencia e Shëndetit Publik vlerëson se shkalla e infeksionit do të rritet këtë vjeshtë, por jo në nivele që kërkojnë rikthimin e kufizimeve të mëparshme.

“Ne besojmë se COVID-19 do të përhapet në të njëjtën mënyrë siç ka bërë gripi. Por duke supozuar se nuk do të ketë variante të reja. Nëse ndodh, mund të na duhet të ndryshojmë rekomandimet”, tha Tegmark Wisell.

Këshilla aktuale e agjencisë është që të gjithë personat e moshës 12 vjeç e lart duhet të vaksinohen, që të gjithë të moshës 18 vjeç e lart duhet të marrin dozën të tretë, dhe të gjithë të moshës 65 vjeç e lart duhet të marrin dozën e katërt.

Sipas statistikave të fundit nga Agjencia e Shëndetit Publik, 65% e popullsisë së moshës 18 vjeç e lart në Suedi kanë marrë tre doza të vaksinës COVID-19.

Në grupin e moshës 12 vjeç e lart, 85% kanë marrë të paktën dy doza.

Tjera nga autori:
1