<b></b> Në Ukrainë, gjymtyrë të humbura e jetë të shkatërruara sa hap e mbyll sytë

Në Ukrainë, gjymtyrë të humbura e jetë të shkatërruara sa hap e mbyll sytë

18.05.2022 11:48

Lufta ka kosto – për shtetet që e bëjnë, për ushtarët që luftojnë, për civilët që e durojnë. Për shtetet, territori fitohet dhe humbet, nganjëherë rifitohet dhe humbet përsëri. Por disa humbje janë të përjetshme. Jeta e humbur nuk mund të kthehet. As gjymtyrët.

Emilio Morenatti & Elena Becatoros, "Associated Press”

Kështu është edhe në Ukrainë. Rrëfimet e njerëzve që i nënshtrohen amputimit gjatë konfliktit janë po aq të llojllojshme sa plagët e tyre, sa rruga e tyre për pajtim me lëndimet. Për disa, humbja e një pjese të trupit mund t’i ngjajë një lloji vdekjeje. Duke u pajtuar me të si një lloj ringjalljeje.

Për ushtarët e plagosur gjatë mbrojtjes së vendit, ndjenja e qëllimit dhe besimi në kauzën për të cilën po luftonin, nganjëherë mund t’u ndihmojë që të ballafaqohen më lehtë mendërisht me amputimin. Për disa civilë, të gjymtuar gjatë zhvillimit të jetës në një luftë që tashmë i ka tmerruar, sfida mund të jetë shumë më e vështirë.

Për burrat, gratë dhe fëmijët, që i kanë humbur gjymtyrët në Ukrainë, tashmë në muajin e tretë, ky rrugëtim është vetëm fillimi.

Yana dhe Natasha

Shkatërrimi erdhi nga qielli i kaltër e i pastër për 11-vjeçaren Yana Stepanenko. Më 8 prill, ajo shkoi në qytetin lindor, Kramatorsk, me nënën e vet, Natasha-n, dhe vëllanë binjak, Yarik-un, për të hipur në një tren evakuimi.

Vëllai qëndroi në stacion për t’i ruajtur valixhet, ndërsa Yana dhe nëna e tyre dolën për të blerë çaj.

Një raketë ra. Bota u bë e zezë, e heshtur. Natasha u rrëzua. Nuk mundi të qëndronte. Shikoi përreth vetes dhe e pa vajzën e vogël me pantallona të varur aty ku duhej t’i kishte këmbët. Gjaku ishte gjithandej.

“Nënë, po vdes”, bërtiti Yana.

Lëndimet për nënën dhe bijën ishin shkatërruese. Yana i humbi të dyja këmbët, njërën pak mbi kyçin e këmbës, tjetrën më lart. Natasha e humbi këmbën e majtë deri nën gju.

Yarik-u nuk është lënduar dhe është ribashkuar me nënën e motrën. Babai i tyre ka vdekur nga kanceri para disa viteve, ndërsa njerku është duke luftuar në front. Prandaj, tash, djaloshi i vogël përkujdeset për nënën dhe motrën, duke vrapuar nëpër korridoret e spitalit, duke marrë karroca për to e duke u sjellë ushqim.

Natasha ende ka vështirësi për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. “Nganjëherë, duket sikur nuk na ka ndodhur neve”, tha ajo, duke qarë lehtë.

Më së shumti brengoset për vajzën e vet. “Nuk mund ta ndihmoj si nënë, nuk mund ta kap ose ta ndihmoj që të lëvizë. Mund ta përkrah vetëm me fjalë nga shtrati”, shtoi nëna e pikëlluar.

Yana, si fëmijët gjëkundi, do që të ngrihet nga shtrati e të lëvizë. Asaj i mungojnë shtëpia dhe miqtë dhe mezi pret që t’i vendosen protezat.

“Vërtet dëshiroj të vrapoj”, tha ajo.

Përktheu: Nasuf Abdyli - Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1