<b></b> Një burrë ther me thikë pesë pasagjerë në një tren në Gjermani

Një burrë ther me thikë pesë pasagjerë në një tren në Gjermani

14.05.2022 09:15

Një polic jashtë detyrës dhe dy pasagjerë të tjerë në një tren në Gjermani kanë arritur që ta ndalin sulmin e një burri të lindur në Irak, i cili të premten plagosi pesë pasagjerë, përfshirë policin, njoftuan autoritetet gjermane.

Një zyrtar i lartë i sundimit të ligjit tha se sulmuesi 31-vjeçar ka qenë i hetuar për ekstremizëm të mundshëm, kur jetonte në një bujtinë refugjatësh, më 2017, por ende nuk është përcaktuar motivi i tij për sulmin ndaj pasagjerëve të trenit, raporton agjencia “Associated Press”.

Katër të lënduar u trajtuan në spital për plagët që pësuan në duar, fytyrë ose kokë, ndërsa një është therur në krah. Asnjëri nga të plagosurit nuk është në rrezik për jetën. Edhe sulmuesi është plagosur dhe është dërguar në një klinikë.

Treni sapo ishte nisur nga stacioni në Herzogenrath, afër kufirit me Holandën, dhe po shkonte drejt qytetit perëndimor gjerman, Ahen, në orën 07:42, kur burri filloi t’i sulmonte pasagjerët, tha ministri shtetëror i Punëve të Brendshme, Herbert Reul. Ai e çmoi guximin e policit 60-vjeçar jashtë detyrës dhe të pasagjerëve, të cilët, sipas tij, e parandaluan dëme më të rënda.

Ministri tha se sulmuesi i ishte nënshtruar kontrollit policor për ekstremizëm të mundshëm më 2017, pasi punëtorët e bujtinës për refugjatë kishin raportuar se burri e kishte rritur mjekrën, e kishte ndryshuar sjelljen dhe e kishte izoluar veten nga banorët e tjerë.

Agjencia gjermane e lajmeve, DPA, i citoi prokurorët në Ahen të kenë thënë se nuk kanë dëshmi të fuqishme deri më tani se sulmuesi ka pasur motive fetare, por ka shenja se ai mund të ketë vuajtur nga zvogëlimi i përgjegjësisë për shkak të problemeve psikologjike.

Tjera nga autori:
1