<b></b> Një grua në ShBA vdes nga virusi i rrallë Powassan, që përhapet përmes rriqrave

Një grua në ShBA vdes nga virusi i rrallë Powassan, që përhapet përmes rriqrave

08.06.2022 15:15

Një grua në Connecticut të Shteteve të Bashkuara ka vdekur nga virusi Powassan, sëmundje e rrallë që përhapet nga rriqrat, raportoi Departamenti i Shëndetit Publik.

Gruaja në të nëntëdhjetat ishte personi i parë në Connecticut që vdiq nga virusi i rrallë këtë sezon. Virusi përhapet te njerëzit përmes rriqrave të drerit, ketrit ose brejtësve, kur e pickojnë njeriun.

E moshuara u sëmur në fillim të majit dhe më vonë u dërgua në spital me simptoma si dhimbja e kokës, temperatura e lartë dhe dhimbja në gjoks. Ajo vdiq më 17 maj pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, njoftuan autoritetet lokale.

Sipas agjencisë së shëndetit, gruaja 90-vjeçare ishte pickuar nga rriqra, por i ishte hequr dy javë para se të sëmurej.

Ajo është rasti i dytë me rezultat pozitiv në testin për virusin e rrallë në Connecticut.

Në mars, një burrë në të pesëdhjetat nga ky shtet amerikan doli pozitiv në testin për virusin Powassan.

Shumica e të infektuarve me këtë virus kanë pak ose aspak simptoma, sipas zyrtarëve shëndetësorë. Një në dhjetë raste të rënda janë fatale dhe, përafërsisht, gjysma e rasteve të rënda pasohen me probleme shëndetësore afatgjata.

Simptomat që duhet të përcillen nga personat që janë pickuar rishtazi nga rriqrat janë temperatura, dhimbja e kokës, vjellja dhe plogështia. Nëse ka arsye për të dyshuar për shkaktim të problemeve më serioze shëndetësore si encefaliti ose meningjiti, duhet të vëzhgohen vështirësitë në të folur dhe humbja e koordinimit, sipas Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. /Nacionale

Tjera nga autori:
1