<b></b> Nuk shkarkoi ministrin e akuzuar për përdhunim, protesta ndaj Emmanuel Macron

Nuk shkarkoi ministrin e akuzuar për përdhunim, protesta ndaj Emmanuel Macron

24.05.2022 20:25

Aktivistët e barazisë e kanë akuzuar Emmanuel Macron se ka tradhtuar premtimin e tij për të zhdukur dhunën ndaj grave dhe vajzave pasi qeveria franceze mbajti në detyrë një ministër të ri të akuzuar për përdhunim nga dy gra.

The Guardian njofton se, grupet feministe të udhëhequra nga Observatori i Dhunës Seksiste dhe Seksuale në Politikë organizuan një demonstratë të martën në Paris kundër asaj që ata e quajtën një "qeveri të turpit", pasi Damien Abad, ministri për solidaritetin dhe njerëzit me aftësi të kufizuara, mbeti në detyrën e tij pavarësisht akuzave për përdhunim.

Abad ka mohuar akuzat, duke përfshirë një nga një grua e cila tha se në vitin 2010 ajo u përdhunua pasi pranoi një gotë shampanjë prej tij dhe u zgjua me të brendshme në një dhomë hoteli me të. Abad tha se paaftësia e tij - artrogripoza, një gjendje e rrallë që prek nyjet - nënkuptonte se ai ishte i paaftë për sulm seksual.

Ndërsa, zëdhënësja e qeverisë Olivia Grégoire tha të martën se lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave do të ishte një prioritet për mandatin e dytë të Macron, ashtu siç ishte në mandatin e parë. Ajo tha se Abad do të qëndrojë në qeveri dhe i takon sistemit të drejtësisë që të nxjerrë të vërtetën.

Por aktivistët paralajmëruan se shumica e rasteve të përdhunimeve dhe sulmeve seksuale në Francë, janë hedhur poshtë nga prokurorët. Njërës prej grave që akuzoi Abadin iu hoq rasti nga prokurorët, gjë që ajo e kundërshtoi. Tjetra grua nuk kishte bërë kallëzim zyrtar, por prokurorët janë duke e shqyrtuar rastin.

Mosmarrëveshja për Abad, një politikan i djathtë që së fundi iu bashkua lëvizjes centriste të Macron, ka lënë në hije ditët e para të qeverisë së re, e cila udhëhiqet nga Élisabeth Borne, kryeministrja e parë femër e Francës në më shumë se 30 vjet.

Madeline da Silva, bashkëthemeluese e Observatorit mbi Dhunën Seksiste dhe Seksuale në Politikë, e cila informoi figura të larta në partinë e Macron për akuzat kundër Abad përpara emërimit të tij, tha se ai nuk duhet të jetë në qeveri.

Ajo shtoi se Borne kishte lënë në hije punën e saj sepse takimi i saj i parë i kabinetit “paraqiste dikë që ishte i akuzuar për krime seksuale të ulur në tavolinë.” Ajo pyet; A është vërtet kjo mënyra për të mbështetur gratë në politikë?”

Zemërime pati edhe në fillim të këtij muaji, kur partia centriste e Macron qëndroi pranë një kandidati parlamentar në Dordogne, i cili ishte dënuar për dhunë në familje. Jérôme Peyrat ishte shpallur fajtor për dhunë ndaj ish-partneres së tij në shtator të viti 2020.

Ndërsa, në vitin 2020, vendimi i Macron për të emëruar Gérald Darmanin si ministër të Brendshëm - pavarësisht akuzave për përdhunim, ngacmim seksual dhe abuzim me pushtetin, tërhoqi kritika të rënda dhe nxiti demonstrata. Ndërsa, pas rizgjedhjes së Macron, Darmanin vazhdoi ta mbajë postin e tij në kabinet. Ai ka mohuar të gjitha akuzat dhe në muajin janar prokurorët kishin vendosur që çështja të hidhej poshtë.

Tjera nga autori:
1