<b></b> OBSH dënon Rusinë për sulmet ndaj kujdesit shëndetësor, paralajmëron se mund ti heq të drejtën e votës

OBSH dënon Rusinë për sulmet ndaj kujdesit shëndetësor, paralajmëron se mund ti heq të drejtën e votës

26.05.2022 22:25

Asambleja Botërore e Shëndetësisë ka votuar të enjten në favor të një rezolute që dënon sulmet ruse ndaj sistemit shëndetësor në Ukrainë.

Rezoluta e suksesshme e Ukrainës, e cila u mbështet nga 88 shtete anëtare, me 12 kundër dhe 53 abstenime ngre mundësinë që Rusia të pezullohet nga asambleja nëse vazhdon sulmet ndaj spitaleve dhe klinikave.

Asambleja është organi vendimmarrës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një agjenci shëndetësore globale e Kombeve të Bashkuara me një mandat të gjerë.

Ndërsa, ditën e enjte u refuzua gjithashtu një kundërpropozim i paraqitur nga Rusia dhe Siria, i cili sugjeronte se Kievi mbante fajin për disa vdekje civile, me diplomatët rusë në asamble që akuzuan Ukrainën se po përpiqet të përdorë një forum tradicionalisht apolitik për të larë hesapet.

Vasily Nebenzya, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara, i tha asamblesë se ishte e papranueshme që të përdoret OBSH për të "stigmatizuar një vend".

Ndërsa, Kievi dhe aleatët e tij argumentuan se asambleja ishte vendi për të diskutuar ndikimin e luftës në kujdesin shëndetësor, duke vënë në dukje jo vetëm raportet për sulmet ruse në objektet mjekësore, por edhe rrezikun e urisë në mbarë botën për shkak të bllokimit të qëllimshëm të porteve të Ukrainës.

"Lufta është një çështje shëndetësore," tha Simon Manley, përfaqësuesi i Britanisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë. “Shëndet për paqe. Paqe për shëndetin. Asambleja Botërore e Shëndetësisë nuk duhet të ketë frikë të trajtojë krizat shëndetësore, duke përfshirë shkakun dhe në këtë rast, agresorin.”

Kujtojmë se objektet e kujdesit shëndetësor në Ukrainë, ishin objektiv i sulmeve ruse që nga fillimi i pushtimit. Në një raport të lëshuar nga OBSH të enjten, organizata tha se deri më tani kishte regjistruar 256 sulme ndaj objekteve shëndetësore dhe personelit gjatë luftës, duke rezultuar në 59 të lënduar dhe 75 vdekje të raportuara. Ndërsa që nga fillimi i luftës në total ishin regjistruar 3,998 vdekje civile.

Votimi i sotëm në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë, mund të mos sjellë pasoja të menjëhershme për Rusinë, megjithatë, ai vuri në dukje referencat në kushtetutën e OBSH-së që lejonin heqjen e të drejtave të votës dhe përfitimeve të tjera.

Tjera nga autori:
1