<b></b> OBSH e konsideron shpalljen e lisë së majmunëve një emergjencë globale

OBSH e konsideron shpalljen e lisë së majmunëve një emergjencë globale

23.06.2022 17:25

Organizata Botërore e Shëndetësisë do të mbledhë sot komitetin e urgjencës , për të shqyrtuar nëse shpërthimi i lisë së majmunëve kërkon që të shpallet një emergjencë globale.

Associated Press shkruan se shpallja e lisë së majmunëve si një emergjencë globale do të nënkuptonte se agjencia shëndetësore e OKB-së e konsideron shpërthimin si një "ngjarje të jashtëzakonshme" dhe se sëmundja rrezikon të përhapet edhe më shumë përtej kufijve, duke kërkuar masa globale. Po ashtu në rast se sëmundja shpallet emegjencë, do të konsiderohet njëlloj si pandemia e Covid-19.

OBSH ka deklaruar se vendimi që do të merret sot, nuk do të bëhet i ditur para së premtes.

Ndërsa, javën e kaluar, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus e ka përshkruar epideminë e fundit të lisë së majmunëve të identifikuar në më shumë se 40 vende, kryesisht në Evropë, si "të pazakontë dhe shqetësuese".  

Lija e majmunëve, ka qenë e pranishme për dekada në Afrikën qendrore dhe perëndimore, ku nga një version i saj vdesin rreth 10% e njerëzve të infektuar, ndërsa deri më tani jashtë Afrikës nuk është raportuar për ndonjë vdekje.

E ndërsa shkencëtarët nuk kanë gjetur ndonjë ndryshim të madh gjenetik në virus, një këshilltar kryesor i OBSH-së ka thënë se rritja e rasteve në Evropë ka mundësi të jetë e lidhur me aktivitetin seksual midis burrave homoseksualë dhe biseksualë.

Deri më tani, Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë konfirmuar më shumë se 3300 raste të lisë së majmunëve në 42 vende ku virusi nuk ka qenë i pranishëm më parë. Më shumë se 80% e rasteve janë regjistruar në Evropë, ndërkohë në Afrikë është parë një rritje, me mbi 1,400 raste të raportuara brenda këtij viti, përfshirë 62 vdekje.

Tjera nga autori:
1