<b></b> Pamje: Në Ukrainë, disa pika kontrolli po mbahen nga fëmijët me armë lodra

Pamje: Në Ukrainë, disa pika kontrolli po mbahen nga fëmijët me armë lodra

04.06.2022 10:49

Nëpër pluhur, po i shoh dritat e kuqe të një automjeti që po i shkojmë prapa. Edhe një pikë tjetër kontrolli. Tashmë kemi kaluar gjashtë ose shtatë të tilla, kur jemi nisur drejt vijës së frontit të forcave ukrainase, në verilindje të qytetit Kharkiv.

Stuart Ramsay, "Sky News"

U drejtova papritmas. Pika e kontrollit po mbahej nga një grup fëmijësh. Jo ushtarë të rinj, por bash fëmijë, me diçka në duar që dukeshin si armë.

Kallashnikovi në dorën e njërit djalosh ishte lodër. Shoku i tij kishte një pistoletë lodër. Nuk jam i sigurt nëse doja të qeshja apo të qaja.

Në njërën anë, ndalja e ushtarëve dhe gazetarëve të huaj dhe marrja e tyre në pyetje nga fëmijët është zbavitëse, por, në anën tjetër, është absolutisht tragjike.

Dolën nga vetura për të biseduar me ta në një ditë me diell, kur zhurma e artilerisë po dëgjohej vazhdimisht pak kilometra larg nesh.

Jemi rreth dhjetë kilometra larg tankeve dhe artilerisë ruse, por djemtë na thonë se dalin çdo ditë nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 9 të mbrëmjes për ta mbrojtur fshatin e tyre ose atë që ka mbetur pas luftimeve, pas të cilave rusët u tërhoqën.

“Ata dhunuan një grua në shkollë”

Nazari, udhëheqësi i tyre, më thotë me mburrje se nuk frikësohet më. Ai është mësuar me luftimet, bombardimet, vrasjet e brutalitetin.

“Ata (rusët) dhunuan një grua në shkollë, kishte shumë fëmijë dhe gra të fshehura në bodrum”, më tha djaloshi ukrainas.

“Ata i detyruan që të dilnin dhe hynë brenda dhe i drejtonin dritat e baterive drejt dritareve të njerëzve natën. Çdo ditë kishte tanke e vetura që endeshin andej e këndej”, tha fëmija 10-vjeçar.

Nazari na tregoi se veturat që kalojnë nëpër pikëkalimin e tyre, ndalen dhe drejtuesve të tyre u kërkohet që të thonë dy fjalë ukrainase – fjalë që vështirë thuhen në gjuhën ruse – për të vendosur nëse ata mund të kalojnë.

Këto fjalë janë “Ukrazaliznitsa” dhe “palianitsa”. Njëra është kompani ukrainase e hekurudhave, ndërsa tjetra një lloj buke ukrainase.

“Herën tjetër, nuk do të jemi aq shpirtbutë”

Përderisa po bisedonim, një veturë u lëshua nëpër kodër dhe arriti te pika e kontrollit. Me besimin e një pushkatari, Nazari i bëri me shenjë veturës që të ndalej. Drejtuesit të saj ia bëri pyetjen në mënyrë të shkathët.

Në të vërtetë, edhe ushtarët ukrainas e bëjnë saktësisht të njëjtën gjë.

Në mënyrë të respektueshme e të bindur, drejtuesi i veturës i përsërit të dyja fjalët. Nazari i jep leje që ta vazhdojë rrugën.

“Funksionoi”, bërtita unë. “Natyrisht”, ma ktheu Nazari.

E pyeta nëse kanë kapur ndonjëherë ndonjë rus. “Po”, tha ai, shumë serioz. “Një drejtues automjeti ra nga testi, por e lamë që të kalonte. Herën tjetër, nuk do të jemi aq shpirtbutë”, tha ai./Nacionale

Përktheu: Nasuf Abdyli

Tjera nga autori:
1